Shfaqja “Ditë vere” e dramaturgut polak Mrozhek, jepet premierë në Podujevë

18 Qershor, 2019 - 2:00 pm

Shfaqja “Ditë vere” e dramaturgut polak Mrozhek, jepet premierë në Podujevë, përcjellë KultPlus.

Në skenën e Teatrit “Avdush Hasani” në Podujevë , me datën 22 qershor duke filluar nga ora 20:00, do të hapen perdet për shfaqjen “Ditë vere” të dramaturgut polak Mrozhek, nën regjinë e Naser Shatrollit, dhe me interpretimin e Brahim Bashës, Butrint Lumit dhe Kaltrina Zenelit.

Drama është socio-politike me temë kryesore notin dhe detin, e krijuar në një stil eksperimental bashkëkohor, që i takon zhanrit absurd, tragjikomedi. Një burrë fatkeq që s’di not, do të bëjë vetëvrasje sepse nuk i shkon asgjë për dore, derisa një burri tjetër i ecën gjithçka mirë dhe të gjitha i ka në dorën e tij. Gruaja është sinonim i ëndrrave të tyre, ndërsa deti përkatësisht dallga, është mindili i shpresave të tyre.

Me pak fjalë kjo është fabula e kësaj drame që do të shfaqet në Podujevë, dramë kjo e cila ndërthuret me vargun e ikjeve nga Kosova, e me bllokadën e vendit tonë, gjersa jetojmë afër detit dhe nuk kemi mundësi ta kapërcejmë atë./BujarMeholli/KultPlus/

Të ngjajshme