Shfaqja ‘E vërteta’ e regjisorit Agon Myftari me premierë në Teatrin e Gjilanit

21 Mars, 2021 - 5:57 pm

Në Teatrin e Gjilanit regjisori Agon Myftari ka filluar punën për shfaqjen ‘E vërteta’ të shkrimtarit dhe dramaturgut francez Florian Zeller, premiera e së cilës do të luhet në muajin prill, shkruan KultPlus.

Në shfajqen  ‘E vërteta’ (La vérité) do të luajnë Kushtrim Qerimi, Avni Shkodra, Safete Mustafa dhe Tringa Hasani.

Lajmi për shfaqjen e Myftarit është bërë i ditur nga vetë Teatri i Gjilanit të cilët dhe i kanë uruar suksese regjisorit Myftari.

Agon Myftari është regjisor i mirënjohur kosovar i brezit të ri. Ai i diplomua në vitin 2008 në Fakultetin e Arteve, drejtimi i Regjisë Teatrore në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2011, Myftari përfundon studimet post-diplomike dhe merr gradën “Master i Regjisë Teatrore” në drejtimin e “Teatrit të absurdit” me shfaqjen “Duke pritur Godonë” nga Samuel Beckett. Në vitin 2015 Myftari emërohet Udhëheqës Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe drejtoi artistikisht këtë institucion për një mandat të plotë katër-vjeçar.

​Agon Myftari ka bërë regjinë në më shumë se 15 produksione teatrore deri tani, dhe disa shfaqje për fëmije. Ai u dallua si student në drejtimin e regjisë teatrore duke u shpërblyer në Festivalin Ndërkombëtar për Teatër dhe Film “Skena UP” në 2006 dhe 2007. Në vitin 2009 ai bën regjinë e parë në një produksion profesional në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe qysh atëherë ai punon si regjisor i pavarur teatri. Në vitin 2018 ai ishte anëtar i laboratorit LCT Director’s Lab në Neë York (program që zgjat një muaj dhe ku marrin pjesë rreth 70 regjisorë nga e mbarë bota). Që nga qershori i vitit 2018, me pjesëmarrjen e shfaqjes “Peer Gynti nga Kosova” në festivalin ‘Schone Ausicht Festival’ në Stuttgart, puna e Agon Myftarit si regjisor fillon të jetë prezente në festivale të ndryshmë të rëndësishmë teatrore europiane. Z. Myftari vazhdon të punojë si regjisor në bashkëpunim me teatrot private si dhe ato shtetërore si në Kosovë poashtu edhe jashtë saj./ KultPlus.com

Të ngjajshme