Shfaqja kamertale “Pronë e lanun mbas dore” mbërtheu publikun me një performancë fantastike

28 Qershor, 2019 - 1:51 pm

Në Teatrin e Fakultetit të Arteve është dhënë premiera e shfaqjes kamertale “Pronë e lanun mbas dore” nën regjinë e Iliriana Arifit dhe me performancën e aktoreve Fatlume Bunjaku dhe Fiona Gllavica, shkruan KultPlus.

Në thelb të dramës një aktshe, janë dy vajzat Vili dhe Toma rreth së cilave vërtitet e gjithë ngjarja. Ato janë të vendosura në një hekurudhë të trenit, ku takohen rastësisht dhe miqësohen. Vili që luhet nga Fatlume Bunjaku, është vajzë e çuditshme. Ajo i rrëfen të kaluarën Tomës që e luan Fiona Glavica, lumturinë që dikur kishte në familje dhe zbrazëtinë e madhe që e ka kapluar atë nga vdekja e së motrës Elvirës. Motra e saj Elvira, kish qenë dikur atraksion i burrave, ajo kish flirtuar me disa të tillë, Albertin, Inspektorin dhe tani ndodhej në pushimin e të vdekurve, në varr.

Në bisedë e sipër, ato zbulojnë se kishin pasur mësuese të njëjtë por që të dyja e kanë ndërprerë mësimin prej kohësh dhe tani vërtiten pa ndonjë qëllim të caktuar. Krejt çka do Vili, është t’i ngjaj së motrës dhe të ketë edhe ajo dashuriçka me burrat, të cilët thotë se ka aftësi t’i mahnisë. Përmes një dialogu të çiltër, dhe një performance fantastike, aktoret Bunjaku dhe Gllavica kanë arritur t’i jetësojnë karakteret e veprës dhe ta mbajnë të mbërthyer publikun e pranishëm. Kah fundi, ato përqafojnë njëra-tjetrën duke shikuar qiellin e zbardhur dhe duke pritur trenin, zhurma e të cilit ndihet në sfond, që lajmëron ardhjen e tij.

Këto personazhe janë të skalitura aq bukur nga dramaturgu i famshëm amerikan Tennessee Williams, i cili ka fituar shumë çmime të rëndësishme, mes tyre edhe Çmimin për Letërsi nga Universiteti St. Louis, derisa në vitin 1979 (katër vjet para vdekjes) ai u fut në The American Theater Hall of Fame.

Aktoret Fatlume Bunjaku dhe Fjolla Gllavinca, u shprehën të entuziazmuara për shfaqjen të cilën e konsiderojnë si sukses të tyre dhe me interesimin e publikut të pranishëm në skenën e Teatrit të Fakultetit të Arteve.

Shfaqja u përkrah nga Minstria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. /Bujar Meholli / KultPlus.com

Të ngjajshme