“Shfaqja që shkon keq” nga Bashkim Ramadani vjen premierë në teatrin Dodona

12 Korrik, 2018 - 9:00 pm

“Shfaqja që shkon keq” nga Henry Lewis, Jonathan Sayer e Henry Shields, ka rënë në duart e regjisorit Bashkim Ramadani i cili me një kastë të gjerë aktorësh i janë përkushtuar punës për të sjellë një shfaqje që në natën e premierës të shkojë ashtu siç është më së miri, shkruan KultPlus.

Regjisori Bashkim Ramadani

Shfaqja zhvillohet në premierën e shfaqjes së dramës misterioze “Vrasje në shtëpinë e Havershamëve” e shkruar nga Suzi H.K. Braidsuell, e vënë në skenë nga Shoqata Dramatike e Universitetit Politeknik të Kornleit.

Një trupë amatore e cila së fundmi ka hasur në një vepër e cila në vete përmban po aq personazhe sa ka edhe vetë trupa aktorë është zgjidhja ideale për të bërë një shfaqje nga e cila pritet sukses i madh.

Në shfaqje bëhet fjalë për një njeri i cili gjendet i vdekur në dhomën e tij të gjumit në mbrëmjen e fejesës së tij dhe me këtë rast bën të dyshuar çdonjërin, e dyshimet padyshim do bien tek ata që e “donin”. Shpërfaqje e dashurisë së fshehtë, tradhti e intrigë do ishin ndër temat kryesore që kjo shfaqje do i prezantonte publikut të saj. Por aty ku pritshmëritë janë të mëdha çdo herë mund të pritet edhe dështimi. Drita që ndalen dhe ndizen vend e pavend, rekuizita e skenografi që mungojnë e prishen, personazhe që u bie të fiket, janë ndër problemet me të cilat ballafaqohet kjo trupë aktoreske e cila di vetëm një gjë, “Shfaqja duhet të shkojë deri në fund PATJETËR”.

Kasta e aktorëve të kësaj shfaqje përbëhet nga: Mikel Markaj, Leonit Maloku, Kaltrinë Zeneli, Gani Morina, Edlir Gashi, Alban Rexhaj, Armend Zeqiri.

Premiera e shfaqjes vjen përpara publikut në teatrin Dodona, më datë 13 korrik në ora 20:00.
Asistent regjie e shfaqjes është Armend Zeqiri, skenografia nga Dhurim Ismaili, kostumografia nga Agnesa Malushaj, mjeshtër ndriçimi – Skender Latifi, ndërsa dizajni i posterit është Mentor Berisha. / KultPlus.com

Të ngjajshme