Shfaqja “Rinoqeronti”, si aktakuzë e fuqishme ndaj çdo fenomeni negativ të Kosovës së pasluftës

12 Tetor, 2020 - 11:52 am

 

Të martën në Skenën e Vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës  publiku do të ketë rastin ta shoh premierën e shfaqjes “Rinoqeronti”, autor i së cilës është Eugene Ionesco, ndërkaq regjia dhe adaptimi i takon Gëzim Hasanit, shkruan KultPlus.

Aktorët të cilët do t’i jetësojnë rolet në këtë shfaqje janë: Njomza Tmava, Qëndresa Jashari, Blerta Gubetini, Allmir Suhadolli, Florieta Bajraktari dhe Dora Xhemajli.

Sipas njoftimit të faqes së TKK-së, shfaqja “Rinoqeronti” do të vie si thirrje për shoqërinë e hutuar në banalitet dhe apati ndaj problemeve esenciale njerëzore, që banalizohet deri në absurditet, ku nëpërmjet ironisë, humorit dhe konsistencës për ndryshim, tenton të sjellë frymë dhe shpresë te shikuesi/vepruesi.

“Shfaqja ngrihet si aktakuzë e fuqishme ndaj çdo fenomeni negativ të Kosovës së pasluftës, ku atakohen të gjithë ata që zgjodhën formën më të shpejtë të arritjes së qëllimit, që sipas vet shfaqjes i shtyn në çnjerëzim, ose shndërrim në (kafshë/rinoqeront), nëse i referohemi botës së shfaqjes”, thuhet tutje në njoftim, teksa vlerësohet se shfaqja vie në kohën e duhur për vendin tonë.

Personazhet do ta shfaqin dilemën e njeriut në raport me të keqën, mëkatin, të lehtën, jo të arsyeshmen dhe padrejtësinë.

“Si portretizim i një shpirti revolucionar, Beranzhe do të etiketohet si njollë e bardhë në këtë mes të errët, ku vlerat humane janë përdhosur deri në gjendje të pashpresë”, thuhet tutje për personazhin e shfaqjes.

Beranzhe do të jetë një personazh i cili do të na mundësoj të kemi besim në optimizëm.

Premiera e shfaqjes vjen më datë 13 tetor në ora 20:00 në TKK. /KultPlus.com

Të ngjajshme