Shiten të gjitha biletat për premierën e shfaqjes “Destur – Blasfemi e ëmbël”

17 Dhjetor, 2018 - 1:59 pm

Shfaqja “Destur – Blasfemi e ëmbël” që vjen si kombinim i dy veprave: “Destur” të Musa Ramadanit dhe “Blasfemi e ëmbël” e autores turke Elif Shafak do të shfaqet sonte (e hënë) në ora 20:00 premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Ky kombinim mes të dyja veprave është bërë nga regjisorja Zana Hoxha –Krasniqi. Me këtë produksion teatror, TKK-ja për herë të parë do ta shfaqë në skenë historinë e poetit të famshëm mistik, Rumit. Në rolin e tij do të prezantohet aktori i njohur kosovar Çun Lajçi. Shfaqja i dedikohet aktorit të teatrit, të ndjerit Istref Begolli.

Kjo shfaqje ende pa u shfaqur premiere ka bërë bujë edhe këtë e dëshmon edhe shitja e biletave. Ka shumë prej atyre që sot kanë mbetur duar thatë pasi që biletat për sonte janë shitur. Ndërsa nesër ku pritet të jetë edhe repriza e parë, poashtu biletat janë drejt fundit, këtë e ka konfirmuar për KultPlus edhe regjisorja e shfaqjes Zana Hoxha- Krasniqi.

Historia e Rumit shpaloset në librin bestseller të Shafakut “40 rregullat e dashurisë”, të shkruar në vitin 2009. Aty ngjarja zë vend në shekullin XIII dhe njëkohësisht paraqitet storia e Ellas, e cila lexon libra dhe i përgatit ato për një shtëpi botuese. Ajo merr përsipër që ta analizojë pikërisht librin “Blasfemi e ëmbël” në të cilën vjen rrëfimi i transformimit në anën spirituale të Rumit dhe një sufisti të quajtur Shems i Tabrizit, i cili i ndihmon atij ta shohë botën përreth nëpërmjet një prizmi tjetër. Në shfaqjen e TKK-së rolin e Shems e sjell aktori Shkelzen Veseli.

Hoxha- Krasniqi me këtë shfaqje rikthen në skenën e teatrit pas gjashtë vjetësh aktoren Anisa Ismajli. Ajo ka thënë se ky projekt është zhvilluar me entuziazëm dhe shumë punë.

Aktori Basri Lushtaku ka thënë se njëjtë sikur mesazhi i shfaqjes që ka të bëjë me paqen dhe dashurinë, edhe procesi i punës është përcjellë në të njëjtën frymë.

Përveç Lajçit, Veselit, Ismajlit dhe Lushtakut, në shfaqje luajnë edhe Armend Smajli, Edlir Gashi, May-linda Kosumoviç, Semira Latifi, Kushtrim Qerimi, Flamur Ahmeti, Armend Ballazhi, Mikel Markaj, Selman Jusufi, Florent Salihu, Blend Sadiku, Leonit Maloku. Shfaqja sjell edhe vallëzimin e dervishëve fluturues në skenë, nën koreografi të Robert Nuhës. Muzika për shfaqje është bërë nga kompozitori Memli Kelmendi, ndërsa skenografia dhe kostumet nga Youliana Vojkova-Najman. /KultPlus.com

Të ngjajshme