Shkëlqimi në baletin botëror i Akreoma Saliut: Filmi, projekt i radhës

13 Maj, 2021 - 3:00 pm

Akreoma do të thotë perëndia e Diellit, e duket se shkëlqimi i saj është “vulosur” që në lindje. Balerina shqiptare Akreoma Saliu tashmë po shkëlqen në skenat botërore teksa prej pak vitesh është vendosur në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ka studiuar për balet klasik në Shqipëri, por e ka gjetur veten dhe të shprehurin e ndjenjave më së miri në dancin kontemporan. Pikërisht për shkak të pasionit për këtë të fundit dhe talentin të rrallë, për të cilin është ushtruar që në moshën 5-vjeçare, balerina e njohur vendosi të zhvendoset në qytetin e mundësive të mëdha.

Në këtë intervistë për “Diaspora Shqiptare“, Akreoma rrëfen edhe projektin e radhës i cili është një film, teksa rrëfen se në pasionin e saj për artin bën pjesë dhe fotomodelingu.

Të lësh vendlindjen, skenën dhe publikun tënd është një vendim i vështirë. Shqipëria është vendi ku ti u formove dhe u rrite artistikisht. Skena e parë që u ngjite, shfaqja e parë që vure vete në skenë. Përse vendose të rifillosh në Amerikë?

Vendosa të rifilloj në Amerikë për mundësi më të mira, sepse pashë që ky vend mund të më japë më shumë sesa vendi im. Dhe tashmë jam tepër e lumtur që e mora atë vendim.

Vështirësia e fillimit është në çdo profesion. Për ty cila ka qene sfida më e madhe (deri tani) në SHBA?

Vështirësia më e madhe ka qenë periudha e fillimit të pandemisë, mbylljet e shkollave e teatrove këtu.

Aty ky njerëzit kanë pasur pikën më të dobët dhe vështirësitë më të mëdha pra të komunikimi, për ty besoj do të ketë qenë më e lehtë. Pasi komunikimi me gjuhën e trupit është universal?

Unë nuk komunikoj vetëm me gjuhën e trupit këtu. Unë jam gjithashtu mësuese baleti, që do të thotë që çdo gjë që e komunikoj me trupin tim, ja shpjegoj me fjalë studentëve. Të jesh balerinë për mua nuk komunikon vetëm me gjuhën e trupit. Ti quhesh artist, ti edukon një publik të tërë që vjen e të mbështet, ti duhet patjetër të jesh i kompletuar.

Bota e artit është në një konkurrence të vështirë dhe të përhershme me kërkesa shumë të larta. Si ja doli një vajzë nga Shqipëria (me bazat e një shkolle lindore, pasi baleti në Shqipëri i përket shkollës lindore) të përshtatet dhe të shkëlqeje në botën perëndimore të artit. Ishte ndihmë apo pengesë shkolla lindore?

Patjetër që bazat që kam marrë në Shqipëri kanë qenë ndihmesë shumë e fortë për mua, sepse ne marrim baza të forta klasike nga shkolla ruse, e unë vërej që këtu kam bërë dallim nga të tjerët fatmirësisht.

Prej disa vitesh tashmë jeni larguar drejt SHBA-së. A ka të bëjë kjo zgjedhje me profesionin tuaj, duke qenë se baleti kontemporan nuk të ofron shumë mundësi në Shqipëri?

Po, kjo zgjedhje ka të bëjë me profesionin. Në New York më janë ofruar më shumë mundësi.

Krahas baletit kemi parë shumë foto tuajat që na lënë pa fjalë, ku keni bashkëpunuar me të madhin Fadil Berisha dhe fotografin e njohur Ilir Rizaj. Sa vend zë në pasionet e tua bota e fotografisë dhe modelingut?

Po mundohem ti bëj paralel baletin dhe fushën e modeling. Afrohem në gjithçka që ka lidhje me artin.1 nga 5  

Cili është projekti i radhës i Akreomës dhe a përfshihet Shqipëria?

Projekti i radhës : do të marr pjesë së shpejti në një film këtu në New York. Në fakt, gjithmonë i mbaj lidhjet me Shqipërinë se është vendi im dhe gjithmone e them me krenari. Para 2 muajsh ne organizuam një koncert për pavarësinë e Kosovës, dhe ndonëse ishte kohë pandemie globale ne u mblodhem dhe servirem një koncert me vlera për vendin tonë.

Le të flasim pak për jetën tuaj. Na bën përshtypje emri i veçantë, Akreoma. Çfarë domethënie ka dhe kush ua ka vendosur këtë emër?

Akreoma vjen nga greqishtja e lashe dhe do të thotë perëndia e diellit. Personi më i rëndësishëm në jetën time, BABI, ka menduar të më vendosë këtë emër kaq të veçantë.
Cila është e përditshmja juaj në një vend të madh e të zhurmshëm si New York?
Unë e dua shumë New York. Jam mësuar tashmë këtu, jam mësuar me zhurmën, vështirësitë, kaosin, bukurinë e sakrificat që New York më ofron. Mundohem shumë të merrem me aktivitet fizik jashtë shtëpisë në ajër të pastër, punoj për planet e mia të ardhshme gjithashtu. Ditet e javës janë tepër të ngarkura në New York, ndonjëherë them që nuk më mjaftojnë 24 orë.1 nga 5  

A keni krijuar kontakte me shqiptarë të tjerë dhe sa i mbani lidhjet me Shqipërinë.
Patjetër që kam krijuar kontakte dhe me shqiptarë të tjerë, përfshirë këtu artistë shqiptarë.

Cili është mesazhi juaj për rininë shqiptare?
Mesazhi për rininë shqiptare: Është shumë e rëndësishme të ndjekim pasionin, ëndrrat tona, edhe të punojmë fortë për to! Puna gjithmonë shpërblehet. Shqiptarët në fakt, gjjthmonë bëjnë diferencë në çdo vend të botës, sepse janë shumë punëtorë./ Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme