Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar konfirmon se nuk është pjesë e nismës për votimin e mbështetësve artistik

6 Shkurt, 2021 - 2:14 pm

Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës përmes një komunikate ka shprehur se nuk është pjesë e organizimit të reagimit të përfaqësuesve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Filharmonisë së Kosovës dhe AKKV “Shota“ dhe Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës, të cilët dje u shprehën se vota e tyre shkon për ata që garantojnë ligjin për krijuesit dhe performuesit e artit, shkruan KultPlus.

“Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës, si subjekti i vetëm sindikal i çertifikuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës shprehë habinë, që individë të caktuar të inkriminuar dhe pa legjitimitet bëjnë kushtëzime elektorale, bazuar në idetë dhe propozimet e SHSTKK-së, përfshirë miratimin e Ligjit për Krijuesit dhe Përformuesit e Artit, të cilin subjekti ynë e ka në programin dhe statutin e tij, të miratuar që në vitin 2016”, thuhet në komunikatë.

Tutje, Shoqata në fjalë shprehet se për ta janë të dëmshme praktikat e deri tanishme të politizimit të institucioneve të kulturës, përfshirë Teatrin Kombëtar të Kosovës për interesa meskine të disa individëve, kurse vazhdimin e qasjes se tillë e kualifikon të papranueshme.

“Shoqata jonë Sindikale pret nga partitë fituese të zgjedhjeve, të shfuqizojnë një ser aktesh dhe vendimesh antiligjore në këto institucione dhe të instalojnë mekanizma për sundimin e ligjit, përgjegjësisë, llogaridhënjes (praktikë e munguar deri me tani), si parakusht për mbarëvajtjën normale të punës së stafit dhe veprimtarisë artistike”, vazhdon Shoqata Sindikale e TKK-së.

“Vetëm pas vendosjes së ligjshmërisë dhe vënjën para përgjegjësisë të individëve të ngarkuar me përgjegjësi  penale dhe shkelje ligjore, mund të pretendohet edhe miratimi i ligjeve dhe normativave shtesë, përfshirë  ligjin e ideuar kohë më parë nga ne, për Krijuesit dhe Përformuesit e Artit”, përfundon reagimi i tyre.

Dje Këshilli organizativ sindikal i përbërë nga përfaqësuesit sindikal të: Teatrit Kombëtar të Kosovës, Filharmonisë së Kosovës dhe AKKV “Shota“ dhe Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës, përmes një komunikate kanë bërë me dije se vota e komunitetit artistik do të shkojë për ata që garantojnë ligjin për krijuesit dhe performuesit e artit, kjo pasiqë kërkesat e tyre ka kohë që neglizhohen dhe një nga arsyet vjen pikërisht nga ndërrimi i shpeshtë i qeverive në vend. / KultPlus.com

Të ngjajshme