‘Skënderbeu’ dhe rendi shoqëror kaotik, nën llupën e Fadil Hysajt

29 Dhjetor, 2018 - 5:21 pm

Arbër Selmani

Një ditë e thjeshtë dhe Bujar Ahmeti po e vizitonte Lezhën me familjen e tij. Pas kënaqësisë, i kishte shkuar në mendje ta vizitonte varrin e Skënderbeut në këtë qytet.

Dhe pikërisht derisa ai po qëndronte më afër se kurrë më Skënderbeun, do të pranonte një telefonatë ku do t’i kumtohej lajmi se është përzgjedhur ta luajë rolin e Skëndërbeut në shfaqjen e re të regjisorit Fadil Hysaj.

Bujari, aktor në shfaqjen që mbrëmë u dha premierë, ka besuar fuqishëm që do të jetë Skënderbeu. Megjithatë, ka të tjerë që e lakmojnë rolin e tij, dhe ai duket si playboy për kolegun e tij i cili insiston t`ia vjedhë rolin.

Shfaqja e cila mbrëmë erdhi në Teatrin Kombëtar të Kosovës, më shumë se 2 orë solli shfaqjen brenda shfaqjes. Derisa ekipa po provonte të luante një shfaqje për Skënderbeun, aktorët donin t`ia nxirrnin sytë njëri tjetrit për një copë skriptë. Dikë e largojnë nga shfaqja, dikë e marrin, një statiste përfundon në rolin kryesor, një tjetër nuk dëshiron mikrofon, një regjisor është krejt afër depresionit ndërsa një dramaturge është e dashuruar në këtë regjisor, por thjeshtë atij nuk i jep ereksion.

Bujar Ahmeti, aktor kryesor në këtë shfaqje e cila mbrëmë mblodhi artdashësit në kryeqytet, tregon se të punosh në shfaqjen “Skënderbeu”.

“Ishte një proces interesant sepse ishte një tekst poetik, alla shekspirian dhe një tekst shqiptar i cili i është shtuar mbi dhe nuk interferon aspak me tekstin origjinal. Për mua shpesh ka qenë një situatë kaotike sepse kemi shtuar e larguar shumë herë tekst dhe rreth 12 drafte i ka sjellë regjisori për me, por prapë për mua është hera e parë që punova në një shfaqje të stilit të tillë dhe e shijova kënaqësinë e premierës” tregon për KultPlus Bujar Ahmeti, një prej Skëndërbeve të shfaqjes.

Arijeta Ajeti / Facebook

“Shfaqja tregon pakënaqësitë, stresin, mundimin, faktin që njerëzit kur e fitojnë një rol veç ankohen e vajtojnë dhe nuk e shijojnë rolin. Pakënaqësitë tona si aktorë janë gjithmonë të pranishme dhe të vazhdueshme në këtë shfaqje” tregon Bujari.

Në shfaqje ka një regjisor. Ai është Shpëtim Selmani. Faris Berisha e ndihmon, por pse jo, provon ta helmojë. Donika Ahmeti është ajo që e ka përshtatur shfaqjen, e ka shkruar tekstin e saj, dhe ndoshta personi më racional në shumicën e shfaqjes. Ajo nuk e duron dhunën ndaj gruas dhe e di saktë që ekipi i shfaqjes nuk mishërohet me tekstin sepse nuk e kupton, dhe nuk e implementon në jetën reale.

Skënderbeu bëhet tejet poetik. Bujari nuk e lejon këtë. Rolin e tij e dëshiron Afrim Muçaj, i cili tregon se lirinë nuk na solli ai, por e gjeti mes nesh.

Gratë e shfaqjes janë histerike, por krejt në fund, kush nuk është. Teuta Krasniqit i largohet Topija për në luftë, dhe ajo pos e bukur është edhe një grua që di të bërtasë. Kur është jashtë shfaqjes, ende brenda në shfaqje, nuk lejon ta stopojnë dhe me karizmën e saj kërkon që kur ajo flet dhe performon në skenë, të mos ketë një zhurmë në anën tjetër të skenës. E bën me nerva kjo gjë. Edona Reshitaj është ajo që i di krejt tekstet e këngëve, ndërsa Sheqeria Buçaj është shumë dramatike. Disa prej këtyre përfundimeve i thotë, kuptohet, regjisori.

Shpëtim Selmani, pjesë e shfaqjes, tregon për KultPlus përvojën e të punuarit në një shfaqje si “Skënderbeu”.

“Ka qenë bashkëpunimi im i parë me Hysajn. Procesi nuk ishte i lehtë për shkak të natyrës dhe mënyrës se si janë shkruar tekstet. Unë luaj rolin e regjisorit që përmbyset nga një realitet që e krijon vetë në përpjekje për të dhënë një mesazh. Ne fatkeqësisht po vuajmë mungesën e një lideri dhe në të njëjtën kohë po dështojmë ta krijojmë një rend të ri shoqëror që në krye ka dashurinë dhe lirinë, si parakushte për të funksionuar në mënyrë të shëndoshë” tregon për KultPlus Selmani.

Madje, është aq i rreptë si regjisor saqë kërkon prej aktorëve të dalin tek shtatorja e Skënderbeut, jashtë, dhe ta shohin e të kuptojnë kush ishte ai dhe si mund të futen në shpirtin e botën e heroit.

“Skënderbeu ose Dashuria dhe Liria” është vepra e njohur e autorit anglez Thomas Whincop, që është shkruar në vitin 1747 dhe që mbrëmë erdhi e përshtatur për në skenën prishtinase.

Dibran Tahiri, Bislim Muçaj, Armend Baloku, Ismet Azemi, Shpëtim Kastrati, Vjosa Tashollli, Adhurim Demi dhe Naim Berisha janë aktorët tjerë në shfaqje, shoqëruar edhe nga Baleti i Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme