“Sky Arte” vlerëson projektin e Bjarke Ingels për Teatrin Kombëtar

23 Korrik, 2018 - 10:00 am

Nëpërmjet një shkrimi të publikuar nga kanali “Sky Arte”, i cili i kushtohet kryesisht artit dhe kulturës, i bëhet një pasqyrim zhvillimeve në Tiranë, ku po synohet që të ndërtohet një teatër modern.

Gjigandi mediatik “Sky” i ka bërë jehonë faktit që Tirana i ka besuar projektimin e Teatri të ri Kombëtar një prej arkitektëve më me emër dhe reputacion në botë, Bjarke Ingels.

Artikulli thekson se disa muaj pas përfundimit të “LEGO House” në Billund, Grupi BIG-Bjarke Ingels është gati të matë veten në kryeqytetin shqiptar, për të krijuar në qendrën e tij Teatrin e ri Kombëtar të Shqipërisë.

Klima e ‘gjallërisë arkitekturore’ e pranishme tashmë prej disa vitesh në kryeqytetin shqiptar, duket se po vazhdon, këtë herë me një ndërhyrje në aspektin funksional,- thuhet në përshkrimin “Sky Arte”, i cili shton më tej se- Teatri i ardhshëm Kombëtar i Shqipërisë do të jetë në gjendje të presë një gamë të gjerë të shfaqjeve të drejtpërdrejta, me hapësira të dedikuara për shfaqje brenda dhe jashtë.

Më tej “Sky Arte” është ndalur në çështje teknike të projektit të Bjarke Ingels, duke raportuar se me rreth 9 mijë metra katrorë në dispozicion, kompleksi mund të krenohet edhe me një teatër të hapur në çati dhe një hapësirë publike të mbuluar, të vendosur poshtë ndërtesës, shkruan Java News. Për të gjeneruar ndërtesën, vëllimi i saj pëson një shtypje në qendër, për t’u ngritur pjesërisht nga toka. Në këtë mënyrë, krijohet një hendek mes dy pjesëve të sheshit publik, për të formuar një lidhje. Hapësira të mëdha me xhamë do të shtrohen në të dyja fasadat kryesore, duke zvogëluar distancat midis teatrit, i cili do të jetë gjithashtu një vend i prodhimit kulturor, i pajisur me shërbime restorantesh, dhe pjesës tjetër të qytetit./ KultPlus.com

Të ngjajshme