Sonte në teatrin “Oda”, premiera e shfaqjes “Burrnesha”

10 Maj, 2022 - 11:50 am

Qendra Multimedia sjell sonte në Teatrin ODA premierën e shfaqjes “Burrnesha”, shkruar nga Jeton Neziraj, me regji të Erson Zymberit dhe aktorë: Tringa Hasani, Semira Latifi e Kushtrim Qerimi.

Premiera vjen sonte më datë 10 maj nga ora 20:00.

“Burrnesha” është shfaqje e cila flet për fenomenin e virgjëreshave të përbetuara të cilat pas një vendimi të pakthyeshëm, heqin dorë nga seksi dhe nga jeta e tyre si gra dhe fillojnë të jetojnë si burra. Shfaqja poashtu ironizon me mënyrën se si ky fenomen është eksploatuar gjerësisht sidomos nga hulumtues ndërkombëtarë të cilët burrneshat i kanë parë si diçka ‘ekzotike’ duke i zhveshur nga agjencia dhe intimiteti që atyre ua ka garantuar akti i të kthyerit në burrnesha. Ato shpesh janë portretuar si relikte të një shoqërie skajshmërisht patriarkale.

Në shfaqjen “Burrnesha”, antropologia angleze Edith, pas vizitës në veriun e Shqipërisë, takohet me Sose-n, njërën nga pak burrneshat e mbetura shqiptare. Të dyja, pastaj udhëtojnë në Londër, në një seri të prezentimeve publike në London University. Gjatë kësaj vizite, Sose bëhet pjesë e një queer performance që është duke u përgatitur nga Julian, që është një drag-queen e njohur e Londrës. Për Sose,-n takimi me një kulturë kaq të huaj bëhet çështje ekzistenciale. 

“Burrnesha” trajton fenomenin e burrneshave, nën dritën edhe të debatit të tanishëm mbi çështjet gjinore, si dhe adreson konceptin e lirisë, respektivisht mos-lirisë në shoqëritë me vlera,  koncepte e konstrukte të ndryshme shoqnore. 

Për ata që nuk do të mund ta ndjekin shfaqjen në premierë, Qendra Multimedia do të sjellë edhe dy repriza më 11 dhe 12 maj nga ora 20:00 në Teatrin ODA. / KultPlus.com

Të ngjajshme