Sopranoja kosovare Marigona Qerkezi gati për debutimin e madh në Teatrin prestigjioz “La Fenice di Venezia”

4 Shtator, 2023 - 3:13 pm

Jeta Zymberi

Marigona Qerkezi, sopranoja e njohur kosovare, është gati të bëjë debutimin e saj të radhës dhe mjaft emocionues në skenën prestigjioze të Teatrit La Fenice di Venezia. Ajo do të zërë rolin e Lucrezia Contarini në operan e famshme “I due Foscari” të kompozitorit të njohur Giuseppe Verdi. Ky debut i jashtëzakonshëm do të ndodhë më datën 10 tetor dhe është pritur me padurim nga vetë sopranoja Qerkezi dhe poashtu nga dashamirësit e muzikës klasike dhe të artit teatral, shkruan KultPlus.

Marigona Qerkezi është një emër i njohur në skenën e operës ndërkombëtare, e njohur për talentin e saj të shquar vokal dhe interpretimin e emocioneve të thella në rolet që interpreton.

Opera “I due Foscari” është një nga veprat e njohura të Giuseppe Verdit dhe përbëhet nga një kombinim i muzikës emocionuese dhe dramës thelbësore. Roli i Lucrezia Contarini është një sfidë e madhe për çdo soprano, dhe Marigona Qerkezi është e gatshme të japë një interpretim të mrekullueshëm në këtë rol të veçantë që para dy muajve e ka interpretuar edhe në Teatrin e Operas në Genova.

Në një prononcim për KultPlus, Marigona Qerkezi është shprehur e emocionuar dhe mirënjohëse për mundësinë që i është ofruar për të performuar në një teatër të njohur si La Fenice.

Qerkezi për momentin ndodhet në Spanjë, ku po vazhdon punën intensive në provat për kryeveprën e Giuseppe Verdit “Aida” , operë kjo e cila do ta inaugurojë sezonin operistik të ‘Amigos de la Opera de A Coruña’ në Pallatin e Operas në A Coruña.

“Jam shumë e nderuar ta debutoj rolin madhështor të Aidas, i cili do të jetë gjithashtu titulli që do të hapë sezonin tim operistik 2023/24. Menjëherë pas shfaqjeve të Aidas në Spanjë, do të vazhdoj për në Itali për të debutuar në Teatrin prestigjioz dhe historik “Teatro La Fenice di Venezia”. Në Venezia do të kem kënaqësinë të interpretoj një tjetër rol shume sfidues që veçse e kam interpretuar në Teatrin e Operas në Genova disa muaj më parë: “Lucrezia Contarini” në operan ‘I due Foscari’ të Giuseppe Verdit. Mezi po pres për këto projekte të mrekullueshme dhe shumë të tjera që do t’i publikoj me të gjithë ju së shpejti”, thotë Qerkezi për KultPlus.

Qerkezi në vazhdimësi ka marrë kritika shumë pozitive për performancat e saj të mëparshme në teatro të ndryshme prestigjioze. Ajo ka një zë të shkëlqyeshëm që ka emocionuar audienca në shumë vende të botën, dhe debutimi i saj në La Fenice është një hap i rëndësishëm për karrierën e saj. / KultPlus.com

Të ngjajshme