Sopranoja Migena Gjata sonte rikthehet në Tiranë

4 Nëntor, 2017 - 5:26 pm

Ajo është një nga të paktat soprano shqiptare që ka vazhduar në rritje karrierën e saj jashtë vendit. Migena Gjata, është vajza që tërhoqi vëmendjen e kritikës apo mediave gjermane me zërin e saj edhe pse në moshë të re.

Nesër, të shtunën e 4 Nëntorit, Migenën e kthejnë në Tiranë, veprat e Schumann, Wolf, Schubert, Webern, e do ta mbyllë mbrëmjen me Strauss. Në sallën e madhe të Akademisë së Arteve, ajo ka zgjedhur që hyrja të jetë e lirë për këdo që dëshiron të shijojë vlerat e muzikës operistike.

Por, cila është Migena Gjata dhe përse po flitet kaq shumë për të:

Migena e nisi rrugëtimin e saj në Tiranë në moshën 13 vjeçare kur filloi të merrte mësimet e para në muzikë. Më pas në liceun “Jordan Misja” e në Fakultetin e Arteve nën mentorimin e Prof. Suzana Frashërit, ajo u formësua më tej si artiste, ku puna e palodhur dhe talenti i hapën dyert për të studiuar në Universitetin e Arteve në Essen. Në klasën e Prof. Rachel Robins ajo u diplomua me rezultate maksimale dhe si rrjedhim fitoi bursën “Cläre und Alfred Pott Stiftung” që financoi studimet e saj.

Që prej 2010-s e deri më sot, Gjata ka qenë e ftuar dhe aktive në teatro të ndryshme, ku ka performuar pjesë nga Strauss, Mozart, Haydn, e të tjerë. Një ndër sukseset më të veçanta është debutimi i saj në televizionin gjerman WDR4 në transmetim të drejtpërdrejtë, ku performoi përkrah njërës prej orkestrave më prestigjoze të Vestfalisë. Ajo ka luajtur role të rëndësishme në një sërë operash ku vlen të përmenden Mbretëresha e Natës tek “Flauti Magjik”, Esmeralda tek “Nusja e shitur” e Zerbinetta tek “Ariadne auf Naxos”.

Kritikët që kanë dëgjuar Gjatën të performojë flasim për një zë të shkëlqyeshëm, të ngrohtë dhe unik. Waz.de shkruan: “Vokal i shkëlqyeshëm dhe i çmuar mozartian”, ndërsa Lokal-Anzeiger thotë se është “plot magji dhe shumë shprehëse”. Dhe së fundi, Opernnetz.de flet për “timbër të kadiftë e simpatik që është fleksibël si në notat e poshtme, ashtu edhe në të lartat pa asnjë lloj sforcimi”. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme