займ на карту онлайн потребительский кредит

Teatri i famshëm gjerman, Multimedia dhe Teatri Kombëtar i Kosovës bashkëpunojnë për ‘Kthimin e Karl Majit’

11 Qershor, 2020 - 2:47 pm

Teatri i famshëm gjerman Volksbühne nga Berlini është duke bashkëpunuar me Qendrën Multimedia dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës, për të realizuar shfaqjen “Kthimi i Karl Majit” (Shfaqje argëtuese për popullin gjerman), e cila do të prezantohet si ekstrakt teatror online gjatë festivalit POSTËEST. Festivali do të mbahet nga data 24 – 26 qershor në Berlin, në teatrin Volksbühne.

Ndërkohë, shfaqja e plotë, si realizim skenik do të jepet në shtator, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, pastaj pritet të nisë turneun ndërkombëtar.

Regjinë e shfaqjes “Kthimi i Karl Majit” është duke e bërë Blerta Neziraj, kurse luajnë aktorët: Arta Muçaj, Armend Smajli, Edona Reshitaj, Adrian Morina, Ylber Bardhi dhe Shpetim Selmani. Tekstin e ka shkruar Jeton Neziraj, videon është duke e realizuar Ilir Gjocaj kurse bashkëpunëtor artistik është Alban Beqiraj.

Rreth shfaqjes “Kthimi i Karl Majit”

Kara Ben Nemsi, personazhi i njohur i Karl Majit, arratiset nga Lindja dhe, bashkë me një grup aktorësh nga Kosova, ia mësynë ‘tokave gjermane’. Në këtë udhëtim gati epik, ai takon Slavoj Zhizhekun, Piter Handken, një pjesëtar të Nationalsozialistischer Untergrund e të tjerë. Shfaqja e konfronton publikun me qasjen gati demonizuese të Evropës Perëndimore – superioritetin e supozuar kulturor, politik e intelektual të saj ndaj Lindjes- për të cilën Aleksandar Hemon thotë se i ka rrënjët thellë në kolonializëm dhe racizëm.

Rreth festivalit Postwest

I planifikuar të mbahet në maj të vitit 2020, festivali transkulturor i teatrove POSTWEST synonte të mblidhte artistë nga dhjetë shtete të cilët kishin zhvilluar dymbëdhjetë shfaqje të reja enkas për këtë festival. Me historinë e vet dramatike ndërmjet perëndimit e lindjes, Volksbühne është vendi ideal për këtë mbledhi të profesionistëve teatrorë nga Evropa Lindore. Tani të gjihtë teatrot me të cilët jemi partnerë kanë gjetur veten në një realitet të ri. Për ne, si ekipe artistike, pandemia COVID-19 nuk ka nënkuptuar vetëm anulimin e javës së festivalit në maj, por gjithashtu edhe përfundimin e papritur të fazës përgatitore: provave për produksionet tona të cilat ishin në prag të fillimit, pjesa jonë e skenografisë në Großes Haus ishte krijuar tashmë në punëtoritë e Volksbühne dhe orari për secilën ditë të festivalit tashmë ishte përfunduar.

Pas një viti përgatitjesh, si do të bëhej që ky festival transkulturor teatror, të ndodh pas një paralajmërimi kaq të beftë dhe pa asnjë produksion apo skenë reale të përfunduar? Duke u rikthyer në konceptin bazik të festivalit, atë të shkëmbimit kolektiv artistik. Përgjatë javëve të fundit, kemi shtuar këtë bashkëpunim i cili i ka sjellë teatrot tanë partnere në Berlin për tri punëtori që nga qershori i vitit 2019. Në vend të Volksbühne, po e shfrytëzojmë hapësirën virtuale për të shpërndarë ide tej-përtej kufijve – dhe kështu edhe një hapësirë për edicionin virtual të POSTWEST.

Dymbëdhjetë produksionet e planifikuara tani do të zëvendësohen me kontribute dixhitale që reflektojnë natyrën e rrjetit tonë ndërkombëtar, i cili do të bëhet i qasshëm për një audiencë

globale për herë të parë për tri ditë me rradhë: performanca drejtpërdrejt online, video me pagesë, audio materiale dhe diskutime me profesionistë teatri rreth përvojave të tyre me POSTWEST. Kjo do të plotësohet nga formate shtesë përmes programit tonë mbështetës i cili në nëntor të vitit 2019 ka filluar me një numërim tematik për së prapthi deri në ditët e festivalit. Ky program përfshin ngjarje tematike siç janë seritë Plattform East, takime me artistë dhe sete muzikore (DJ set) – natyrisht, të gjitha në mënyrë dixhitale.

Kështu POSTWEST ka tejkaluar vetveten si ngjarje që ndodh në skenë dhe tash po i përgjigjet realietit të ri. Kriza e Koronavirusit na ka mundësuar të observojmë se si shumë shtete po kthehen tek vetja përsëri dhe informacioni për situatën në shtetet tjera duket thjesht sikur statistikë. Përkundër kësaj prapavije, reflektimi mbi kategoritë historike dhe mundësitë për shpërbërjen e tyre bëhet më i rëndësishëm se kurrë më parë. Lindja apo perëndimi? Post-perëndimi, post-lindja, post-lindje-perëndimi? A çon trashëgimia e përbashkët kulturore drejt një vetëdijeje të ngjashme historike? Me një llojllojshmëri kaq të madhe shtetesh e identitetesh, a është e mundur të mendojmë dhe formësojmë një të ardhme së bashku? Çka nënkuptojnë për neve një shoqëri e fuqishme civile, solidariteti, vlerat relevante për të ardhmen dhe sistemet demokratike? Si mundemi ne, si profesionistë teatri – edhe përgjatë një izolimi botëror dhe pa asnjë mbledhi publike – të vazhdojmë të formësojmë rrjete e nisma afatgjata transkulturore në mënyrë që artistikisht t’iu përgjigjemi këtyre debateve aktuale.

Ndërkohë që edicioni virtual i festivalit adreson këto pyetje, ai gjithashtu formëson bazën e një rrjeti ndërkombëtar. Produksionet e planifikuara do të kenë premierat dhe do të përfshihen në repertoaret e teatrove tanë partnerë sapo atë të rihapen. Në këtë mënyrë, dhe përmes bashkëpunimeve të ardhshme, POSTWEST vazhdon të jetojë si hapësirë ku disciplinat artistike nuk shikohen vetëm nga një perspektivë individuale e kombëtare, por gjithashtu krijojnë një kontekst transkulturor.

Financuar nga: German Federal Cultural Foundation, Ministry of Culture of the Republic of Kosovo, Goethe-Institut, The Olof Palme International Center, Rockefeller Brothers Fund, Swiss Agency for Development and Cooperation, European Union Office in Kosovo. / KultPlus.com

Të ngjajshme