Teatri i njohur në Budapest mbyllet për shkak të faturave të tetëfishuara të energjisë

5 Tetor, 2022 - 10:30 pm

Një teatër mjaft i njohur në Budapest do të kalojë një dimër të ftohtë dhe të qetë, pasi menaxherët e tij zgjodhën ta mbyllin atë në vend që të paguajnë çmime të larta të shërbimeve që po shtrëngojnë bizneset dhe institucionet kulturore në të gjithë Evropën, shkruan faqja fortune.com.

Teatri prestigjioz 111-vjeçar ”Erkel” në Budapest, një nga tre hapësirat e performancës së Operës Shtetërore të Hungarisë, do të mbyllë dyert e tij në nëntor pasi rritja eksponenciale e faturave të energjisë e bëri ngrohjen e ndërtesës me 1 800 vende, të paqëndrueshme.

“Duhet të vendosnim se si mund të kursenim. Edhe pse është e dhimbshme të vendosësh të mbyllësh ‘Erkel’-in për disa muaj, është krejtësisht racionale”, theksoi Szilveszter Okovacs, drejtor i Operës Shtetërore hungareze.

”Faturat e energjisë së institucionit janë bërë më të shtrenjta me tetëfish, ndonjëherë dhjetëfish.  Diçka duhej bërë sepse, në fund të fundit, pagat e njerëzve… janë më të rëndësishmet”, theksoi Okovacs.

Mbyllja e përkohshme është vetëm një nga shumë rastet e institucioneve kulturore në Hungari që luftojnë për të qëndruar në këmbë pasi inflacioni i lartë, dobësimi i monedhës dhe kostot e energjisë marrin një taksë të rëndë financiare./ KultPlus.com

Të ngjajshme