Teatri Kombëtar hapë dyert për publikun me premierën e shfaqjes “Zgjimi i Pranverës”

1 Tetor, 2020 - 12:45 pm

Jeta Zymberi

Ishte planifikuar të jepej premierë në pranverë e të mbush sallën plot, por situata e shkaktuar nga Covid-19 mbylli teatrin e kështu la pezull programin e planifikuar. Por në muajin qershor, shfaqja “Zgjimi i Pranverës” erdhi si premierë e mbyllur në Teatrin Kombëtar të Kosovë, shkruan KultPlus.

Masat e ndërmarra me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së pandemisë bëri që shfaqja të ketë shikues anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe disa anëtarë të tjerë të komunitetit artistik. Ndërsa publiku i gjerë nuk pati fatin ta shohë.

Por, kësaj pritje i erdhi fundi. Teatri Kombëtar i Kosovës hapë dyert për publikun pas një pauze disa mujore me premierën e shfaqjes “Zgjimi i Pranverës” e cila vjen në bashkëpunim me Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet.

Më 5 tetor, në ora 20:00, shfaqja muzikore “Zgjimi i Pranverës” nga autori Frank Wedekind e me regji dhe adaptim të regjisores Zana Hoxha do të ja kthej gjallërinë teatrit edhe pse numri i ulëseve është i kufizuar.

Për regjisoren e shfaqjes Zana Hoxha, kryevepra e autorit Frank Wedekind “Zgjimi i Pranverës” ishte një thirrje artistike, dëshirë e nevojë për ta sjell atë në Kosovë, tutje duke e adaptuar atë në Kosovën e viteve të 90ta. Nevoja e të rinjëve për të kuptuar dhe për tu kuptuar ka qenë dhe vazhdon të jetë sfidë, sidomos historia që i ka përcjellë të rinjët tanë në vitet e 90ta, kohë protestash e rezistence, kohë kur liria kolektive dhe personale ishte e kufizuar nga regjimi politik i Millosheviqit dhe patriarkati mirëpo solidariteti mbante gjallë frymën e rezistencës kolektive.

Rinia dhe nevojat e natyrshme të rinisë nuk kanë qenë prioritet andaj edhe informacionet për seksualitetin, ndjenjat, dashuria e përvojat e tyre kanë qenë të limituara dhe të neglizhuara nga familja, shkolla e shoqëria. Dhuna në shkollë, abuzimi fizik dhe seksual, paragjykimet, shtatzënia e paplanifikuar dhe aborti kanë qenë dhe mbesin probleme reale të shoqërisë sonë kosovare.

Kjo shfaqje zgjon nevojën për të ngritur në diskutim tema të tilla “të ndaluara”, për të folur për ndjenjat, seksin dhe përvojat e para teksa ato ndodhin, nevojën për t’i ditur të gjitha, për t’i kuptuar e për t’i përjetuar.

Kjo shfaqje duke përfshirë të gjithë krijuesit e saj i dedikohet të gjithë të adoleshentëve të rënë në vitin 1998-1999 në luftën e fundit në Kosovë.

Kujtojmë që para pak ditësh shfaqja “Zgjimi i Pranverës” u vlerësua si “Shfaqja më e mirë”, duke u shpërblyer me çmimin “Grand Prix”, në edicionin e katërmbëdhjetë të ITF SkupiFestivali.

Juria ka vlerësuar shfaqjen për shkak të konceptit të saj të fortë regjisorial dhe estetikës bashkëkohore teatrore, duke sjellur një “drejtim të ri” të shprehjes teatrore ballkanike, që është në hap me atë evropiane, duke vepruar në fushën e “teatrit total”, duke përdorur muzikë, dramë, vallëzim dhe video, me aktrim që shtyjnë kufijtë e zakonshëm, duke përfshirë edhe reagimin e audiencës./ KultPlus.com

Të ngjajshme