Teatri Kombëtar i Kosovës vërshohet nga ujërat e zeza

5 Prill, 2018 - 11:40 am

Bodrumet e objektit të Teatrit Kombëtar kanë akumuluar një sasi të madhe ujëra të zeza.
Teatri Kombëtar ka probleme serioze me kanalizimin e ujërave të zeza prej kohës që është rregulluar sheshi në qendër Prishtinës.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi gjatë inspektimit të objektit të Teatrit ka thënë se do të takohet me njerëz kompetent dhe me kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin për ta eliminuar problemin që ka kohë të gjatë Teatri Kombëtar. Ai tha se do ta shqyrtojnë buxhetin dhe të ndahen mjete për rregullimin e problemeve që ka ky institucion i kulturës.

Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Teatrit Kombëtar Kumrije Hoxha tha se gjendja brenda objektit është jo e mirë prej ujërave të zeza. Ajo tregoi se një punëtor teknik i këtij institucioni kujdeset për ta zbrazur ujin që është i grumbulluar në bodrumet e Teatrit.

Bodrumet e objektit të Teatrit Kombëtar kanë akumuluar një sasi të madhe ujëra të zeza, ku sipas drejtorit të Baletit, Ahmet Brahimaj, një punëtor i Teatrit që shtatë ditë me teknikën e tij private po mundohet që ta reduktoi sasinë e ujit./ KultPlus.com

Të ngjajshme