Teatri kosovar në mediet ndërkombëtare

30 Qershor, 2020 - 10:10 pm

Dy prestigjiozet gjermane, TAZ dhe Der Tagesspiegel, kanë shkruar gjërë mbi shfaqjen “Kthimi i Karl May– një shfaqje zbavitëse për popullin gjerman”, produksion i Qendrës Multimedia, teatrit Volksbühne nga Berlini dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Videoja 40-minuteshe me skena te shfaqjes “Kthimi i Karl May” është dhënë si premierë nga 24-26 qershor, në festivalin ndërkulturor Postwest në Volksbühne Berlin.
“Ben Nemsi tek Handke” dhe “Përshëndetje nga Ballkani” janë titujt e artikujve të cilët video-performancën e aktorëve kosovarë e cilësojnë si një risi interesante në edicionin e sivjemë të Postwest.

“Kthimi…” në tekst të Jeton Nezirajt është një format interesant i satirës “që shpeshherë është skajshmërisht i mprehtë në reflektimet e projeksioneve të ndërsjella në mes Lindjes e Perëndimit…”, shkruhet në TAZ.
Shfaqja flet për rrugëtimin e Kara Ben Nemsit i cili bashkë me një grup aktorësh nga Kosova ik nga Lindja ndërsa shkon drejt tokave gjermane. Në këtë udhëtim epik ai takon Slavoj Zhizhekun, Peter Handken e personazhe të tjerë intrigues.

“Kthimi i Karl May-it është një satirë jashtëzakonisht e pakursyer e cila absolutisht ia vlen të shihet”, shkruan Der Tagesspiegel.
Regjia: Blerta Neziraj. Luajnë: Arta Muçaj, Armend Smajli, Edona Reshitaj, Adrian Morina, Ylber Bardhi dhe Shpetim Selmani. /KultPlus.com

Të ngjajshme