Teuta Krasniqi solli hapat e shtetit të izoluar në dritën e shpresës (FOTO)

9 Shkurt, 2018 - 11:40 am

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, mbrëmë solli premierën e parë për këtë vit. Hapat dhe lëvizjet e balerinës Teuta Krasniqi, për dymbëdhjetë vite kanë ecur brenda skenës për t’u bërë përfaqësim i mesazheve të koreografeve vendas e të huaj. Kurse nga mbrëmë, emri i saj përfaqëson koreografen e parë grua që realizon një shfaqje të plotë. Fuqinë artistike me të cilën balerina Teuta Krasniqi është prezantuar në rreth dyzet premiera, duket sikur e kishte bartur në secilin hap të trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës.

Gili Hoxhaj
Fotografitë: Valerie Plesch

Dritat e skenës së Teatrit Kombëtar ishin tejet të zbehta, por përpjekjet e hapave edhe në këtë dritë ishin tejet të shpejtë e intensiv. Tërë kjo, për të sjellë izolimin e këtij vendi, me përpjekjet e njerëzve për të gjetur veten diku. Publiku, në të shumtën e rasteve e shijoi lojën e krejt trupës brenda skenës. Interaktiviteti i tyre me muret që u qëndrojnë prapa, e bëjnë këtë lojë edhe më sfiduese. Herë të vendosur prapa, e herë para tyre ata gjejnë përsëri vendin e tyre në skenë. Përveç mureve, që nënkuptonin lëvizjen e tyre jashtë këtij vendi, mesazhi i lojës së balerinëve shkonte përtej kësaj. Ishin muret e padukshme, ata që më së shumti i torturonin lëvizjet e tyre që ishin tejet të kufizuara. Për ta sjellë këtë përmes trupit të tyre, hapat e tyre herë niseshin para, e herë tërhiqeshin prapa, duke u kufizuar në të njëjtën hapësirë.

Kjo performancë me koreografi të Teuta Krasniqit, jo vetëm që dha një mesazh të qartë por nxorri edhe mjaft emocione nga publiku, kur ajo ngjitet në skenë për t’u rreshtuar në mesin e kolegëve të saj. Duartrokitjet e fuqishme ishin aprovimi më i fortë që Teuta Krasniqi vetëm se duhet të vazhdoj t’i sjellë performanca të tilla publikut prishtinas. Vet Teuta Krasniqi thotë se finalizimin e punës së saj në skenë, sonte e ka percjellur me emocione tejet të fuqishme, ndërsa shtoi se tërë kjo punë nuk do të ishte e realizueshme pa bashkëpunimin e kolegëve të saj, me të cilët ajo ka ndarë për 12 vite skenën e njëjtë.

“Tërë kohën kam pasur rrahje të forta të zemrës, aq shumë kam pasur emocione sa që nuk kam fjalë as t’i përshkruaj. Është një përgjegjësi shumë e madhe që po filloj si koreografe e para dhe për temën që e prek kjo shfaqje, është një temë aktuale dhe shumë sfiduese”, ka thënë Teuta Krasniqi për KultPlus.
Muzika vinte e bëhej tejet depërtuese, dhe së bashku me çdo hap dukej sikur godiste në një pjesë të rrugëtimi të një dekade pavarësi. Dëshpërimi i trajtave të ndryshme manifestohej në çdo vallëzim e lojë të balerinëve. Është një personazh që në mesin e lojës shfaqet me të zeza, e Teuta Krasniqi e kishte emërtuar si “Padrejtësi”, përmes të cilit kishte identifikuar faktorin kyç që injoron përpjekjet e mllefin e të tjerëve. Madje në një moment, ai ecën pranë trupave që kanë prekur tokën, derisa ata zgjohen e të bashkuar largojnë muret.

“Përmes personit të veshur me të zeza, kam dashur ta paraqes një faktor i cili ka ndikuar dhe ndikon në këto mure, kështu deri vonë nuk dihet kush është padrejtësia në mes, sepse gjithmonë është dikush në mesin tonë dhe në vendin tonë sepse nuk mundet me qenë jashtë. Ne në fund i kemi larguar të gjitha këto padrejtësi dhe jemi munduar që këtë ta shndërrojmë në një person të mirë dhe si dikush që punon me neve dhe na ndihmon neve t’i thejmë këto mure”, tregoi Teuta për KultPlus.

Muret e larguara, bëhen pjesë e një dere prej nga vjen një dritë, drejt së cilës largohen të gjithë. “Ne vazhdojmë tutje me shpresë”, ky është mesazhi i fundit që nxjerrë tërë kjo performance. Teuta Krasniqi tha për KultPlus se kjo dritë në fund të tunelit nënkupton shpresën, jetesën tonë të vazhdueshme në përballjen me muret, që përpiqemi t’i rrezojmë. “Shpresoj që dikush do të bëjë diçka për t’i thyer ato mure”, u shpreh Teuta.

Pavarësisht asaj që derës së hapur nuk i reziston askush, ajo thotë se kjo derë është derë e shpresës për të ikur dhe për t’u kthyer për t’i dhënë shumë më shumë këtij vendit. Ajo tutje tha për KultPlsu se vet jetesa në një vend të bllokuar, mund të jetë një nxitje për njerëzit për t’u larguar nga ky vend, ndërsa tha se liberalizimi i vizave nuk do të jetë arsye për njerëzit që ta lëshojnë vendin por do të jetë arsye që njerëzit të shkojnë jashtë vendit, të punojnë dhe të kenë hapësirë që të kthehen në vendin e tyre.

“Nëse të rinjtë që tani kanë shkuar jashtë, kthehen përsëri në këtë vend, ata përsëri do të ndihen të izoluar dhe kjo është arsyeja që i bën ata të mos kthehen këtu”, tha mes të tjerash balerina Teuta Krasniqi.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj tha e ky është një moment sa emocional,aq edhe prekës pasi që si trupë e baletit, kanë kaluar në shumë sfida për të arritur në këtë nivel që është sot, që një balerinë shumë e mirë sonte arriti ta përgatitë një shfaqje që po përcillet me shumë lavdata nga të tjerët. Drejtori Brahimaj tha se Teuta sonte ka arritur të sjellë një shfaqje me një koncept dhe të gjitha që i duhen një shfaqje të baletit modern, duke gërshetuar edhe një temë prekëse brenda saj. Megjithatë, drejtori i BKK-së tha se Teuta edhe pse dëshmoi që është e mirë si koreografe, ajo nuk do duhet të ndalet asnjëherë edhe në rolin e balerinës, pasi që, sipas tij, ajo është e shkëlqyer.

Aulona Nuhiu, e cila kishte një rol kyç në këtë shfaqje, tha se kjo shfaqje do të mbahet mend për shumë gjatë nga trupa e baletit. Ajo tha për KultPlus se kënaqësinë e dyfishtë ja sjellë puna me Teutën dhe fakti që nga Trupa e BKK-së po del edhe një koreografe. “Këto ditë të punës më Teutën kanë qenë të mrekullueshme dhe besoj që kemi sjellë një shfaqje mjaft e mirë me një mesazh mjaft të qartë”, tha balerina Aulonë Nuhiu.

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, krejt në fund solli ngjyrat festive me bluzat e dhjetëvjetorit të pavarësisë #Kosova10. Të gjithë ata që duan ta shohin këtë shfaqje, repriza e parë është sonte duke filluar prej orës 20:00./KultPlus.com


Të ngjajshme