Themelohet Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës

5 Korrik, 2018 - 7:27 pm

Duke parë gjendjen aktuale të teatrove të qyteteve dhe nevojën e domosdoshme për bashkëpunim dhe rrjetëzim të përbashkët me qëllim të mbrojtjes, zhvillimit dhe avancimit të interesave të përbashkëta të funksionimit të teatrove publike të qyteteve të Kosovës , sot është themeluar Asociacionin e Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës (ATQK), përcjellë KultPlus.

ATQK do të angazhohet që të ndihmojë dhe kontribuojë fuqishëm edhe në rregullimin e politikave të përbashkëta kulturore të cilat zhvillojnë dhe krijojnë ura të rëndësishme të bashkëpunimit dhe krijimit jo vetëm kulturor por edhe atij organizativ e teknik.

Ky mekanizëm do të jetë një zë i artikuluar dhe unik i cili do të kontribuojë, fuqizojë dhe insistojë në zbatimin dhe zhvillimin e legjislacionit juridik të teatrove të qyteteve me qëllim të funksionimit normal të tyre, të krijimit të vlerave e standardeve artistike.

Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës (ATQK) do të mbajë së shpejti një konferencë për media, ku do të prezantohet edhe plani i punës dhe veprimet konkrete të këtij mekanizmi. Për kohën dhe vendin e saj do të njoftoheni me kohë.

Themeluesit e Asociacionit të Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës (ATQK) janë: Teatri i Qytetit të Gjilanit (Erson Zymberi), Teatri “Bekim Fehmiu” – Prizren (Fetah Paçarizi), Teatri “Hadi Shehu” – Gjakovë (Edonis Kastrati), Teatri “Adriana Abdullahu” – Ferizaj (Fatmir Hyseni), Teatri “Istref Begolli” – Pejë, Teatri i Qytetit të Mitrovicës (Adem Zhitopotuku), Teatri “Avdush Hasani” – Podujevë (Agron Gërguri) dhe Naser Zymberi, përfaqësues sindikal i teatrove të qyteteve.

Kryetar i Asociacionit të Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës është zgjedhur Erson Zymberi (Teatri i Qytetit të Gjilanit). Mandati i kryetarit do të jetë 6 muaj dhe kjo pastaj do të funksionojë sipas rotacionit, ku secili teatër do të ketë mundësinë e udhëheqjes me Asociacionin e Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme