“Tirana MOVES” i Igli Mezinit po lëvizë edhe turizmin, të huajt interesohen për Shqipërinë

14 Gusht, 2017 - 6:00 pm

“Tirana Moves” po vlerësohet si një ndër projektet më promovuese të qytetit të Tiranës, video projekt që ka ndërlidhë vallëzimin, muzikën, dhe pamjet e shesheve të kryeqytetit shqiptar. Igli Mezini ka thënë për KultPlus, se tashmë ka marë reagimet e para edhe nga ndërkombëtarët, pasi që, pikërisht nga pamjet e kësaj videoje, ata tashmë kanë futur në listën e udhëtimeve edhe Tiranën.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: “Tirana MOVES” është video projekti më i ri që keni realizuar, duke ndërlidhë vallëzimin tuaj me bukurinë e qytetit të Tiranës, si erdhe deri te ky projekt?
Igli Mezini:
Gjithçka lindi shumë natyrshëm, duke e parë lëvizjen si një domosdoshmëri jetësore. Ne të gjithë lëvizim, dhe pse në drejtime e për qëllime të ndryshme. Duke shkuar në punë, në shkollë, në park, duke gatuar, duke u ushqyer e në gjithçka tjetër. Si artist nuk mund të mos vija re zhvillimin e transformimin e Tiranës në sheshe, rrugë, parqe.

Padyshim më është kthyer në një burim shumë të fortë inspirimi, që mendoj që të gjithë ne mund ta përdorim maksimalisht në çdo fushë të artit. Aty lindi dhe Tirana MOVES, një koncept artistik multifunksional të cilin vazhdoj ta zhvilloj në qytetin tim, në prejardhjen time, në kryeqytetin e të gjithë shqiptareve.

KultPlus: Janë pjesët më të frekuentuara të Tiranës që janë ndërlidhë në këtë video, përpos prezantimit artistik, shihet se video ka për qellim edhe promovimin e turizmit, keni marë ndonjë përshtypje në këtë drejtim, pasi që lansuat projektin?
Igli Mezini:
Ambienti është frymëzim i padiskutueshëm për një artist. Tirana MOVES, si edhe përkthimi i konceptit tim prezanton jo vetëm artin tim, por edhe Tiranën me lëvizjen e saj, me bulevardin e ri, me sheshin e ri, sixhaden tek sheshi Nënë Tereza, me instalacionin e quajtur Reja, gjithashtu në qendër të qytetit. Por, ndërsa gjuha ime e trupit përmes vendeve ku unë kërcej percjell mesazhe duke e përqafuar të bukurën dhe ndryshimin, fiton edhe Tirana. Indirekt ajo video i shërben edhe turizmit. Tani më këtë e kam fakt, pasi shume miq dhe kolegë të nacionaliteteve të ndryshme, jo vetëm më uruan për punën e bërë, por e kanë Tiranen në listën e destinacioneve që ata duan ta vizitojnë. Me përkrahjen e kryetarit të Bashkise së Tiranës, Erion Veliaj “Tirana MOVES” do të vijojë aktivitetin artistik me ide dhe qëllime të reja !

KultPlus: Duke pasë parasysh që ju jeni balerin me përvojë ndërkombëtare, dihet që edhe koreografinë e keni realizuar, por pjesa e videos nga kush u xhirua, dhe si vendosët për këngën që dëgjohet në sfond?
Igli Mezini:
Kam menduar të improvizoj e të bëj atë që ndjej në moment. Isha i sigurt që në hapësira të mëdha, si sheshet kryesore të Tiranës dhe spontaniteti im trupor do te ishin kombinimi perfekt që i përshtatet më së miri projekt-idesë time Tirana MOVES, kërcim konceptual minimalistik, që përcjellë ndjesi për shpirtin dhe revolucion për mendjen përballë realitetit, shoqërisë, ekonomisë, politikës, zhvillimeve të një sistemi në tërësi. Videoja është përgatitur me mjeshtëri nga dy djem të talentuar dhe të palodhur qe ndihmuan në një realizim sa me dinjitoz të videos. Muzika është zgjedhja ime, melodia, tingujt, fjalët kishin mbetur në memorien time që në momentin e parë që e dëgjova. Pata një lloj lidhje me të dhe sapo mu dha rasti e huazova për ta bërë timen, përmes lëvizjeve. Me siguri ju ka ndodhur edhe juve që një këngë të caktuar ta bëni tuajën edhe pse teksti thotë një gjë tjetër. May i have this dance? Një fjali që me përket! Unë e kërkova këtë dhe njerëzit ma besuan, e shijuan me mua, me uruan dhe presin më shumë nga unë.

KultPlus: Ju tashmë realizuat videon me Tiranën, po me qytetet e tjera?
Igli Mezini:
Plani im ishte që Tirana MOVES të lindte në Tirane, ku kam lindur edhe unë. Kjo dëshirë e madhe e imja, falë edhe mbështetjes së pakursyer të Bashkissë së Tiranës, e kryetarit Erion Veliaj u realizua me sukses. Kështu që në vijim, projekti do të rritet kudo, në çdo cep të Shqipërisë, edhe në Kosovën shumë të dashur për mua.

KultPlus: Po Kosovën e keni menduar si opsion?
Igli Mezini:
E si mundem te mos mendoj për Kosovën ? Kësaj pyetjeje do më duhet ti shmangem pak, por së shpejti do vij me një surprizë shumë të bukur ! Do kënaqemi të gjithë, jam i sigurt.
KultPlus: Dhe për videot e tjera, do të futet koreografi ndryshe, apo do të ndërrohen vetëm qytetet?
Igli Mezini: Për një artist është gati e pamundur ta sjellë të njëjtin art njësoj, me ndryshimin e vetëm vendndodhjen. Dëshiroj që çdo kërcim të jetë sa i ngjashëm dhe i ndryshëm nga njëra video në tjetrën. Kam disa ide se ku do të fokusohem në videot e radhës. Para se ta bëj këtë më duhet ta njoh atë qytet, të njihem me kulturën, zakonet, problematikat, të mirat e atij vendi, me pakënaqësitë e njerëzve dhe me revoltën e tyre të brendshme. Dua që të gjithë të gjejnë gjuhën e fjalës në artin tim. Konteksti i gjithçkaje që ndodh në një qytet të caktuar besoj do të jetë frymëzimi im parësor.

KultPlus: Dhe krejt për fund, sa do të zgjasë ky projekt i juaji dhe sa qytete keni ndërmend ti fusni në këtë projekt?
Igli Mezini:
Projekti im sapo ka filluar dhe po zhvillohet çdo dite me ide të reja. Është herët për të parashikuar një fund, nuk i preferoj “ndarjet”. Më pëlqen jetëgjatësia. Di vetëm t´ju them që do shihemi së shpejti ! /KultPlus.com

Igli MEZINI lindur me 6 korrik 1993 ne Tirane.

Studimet e para te shkolles fillore i kreu ne shkollen Naim Frasheri ne kryeqytet.
Nderkohe paralelisht ne moshen 7 vjecare nisi mesimet e para ne kursin e baletit prane Qendres Kulturore te Femijeve. Gjate ketyre viteve kercimi u kthye ne pasion dhe deshire,e fale mbeshtetjes se familjes endrra e tij u realizua per te qene pjese e Shkolles Profesionale Kombetare te Baletit ne Tirane. Per shtate vjet ne ate shkolle Igli u formua me nje baze te forte te baletit klasik. Nder vite Igli ka qene pjesmarres ne shume evente artistike te Shkolles se Baletit gjithashtu dhe ne Teatrin e Operas dhe Baletit.

Pas shtate vitesh studime prane Shkolles Kombetare Profesionale te Baletit ne moshen 18 vjecare Igli ben nje audicion ne nje nga shkollat me prestigjoze “Rosella Hightower” ne Kane te Frances. Audicioni rezultoi mjaft i suksesshem dhe Iglit i ofrohet nje burse studimi duke bere qe djaloshi 18 vjecar te niset drejt nje eksperience te re krejt i vetem por me nje enderr te madhe. 3 vite eksperience ne Kane i sherbyen artistit te ri per tu formuar e per te performuar neper skena te rendesishme te Europes, si Itali, Austri, Spanje, Turqi e te tjera vende. Duke mos harruar pjesmarrjen shume te rendesishme ne “Festival de Film de Cannes” ne vitin 2013 si pjese e trupes se kercimit ne hapjen gala me “The Great Gatsby” krah Leonardo Di Caprios, Lana del Rey, Baz Luhrmann, Florence and the Machine e yje te tjere te kinematografise boterore. Gjate 3 viteve ne Kane Igli preformoi si solist ne pjese te njohura te repertorit te baletit boteror.

Ne gusht te vitit 2014 Igli tenton nje tjeter audicion, kesaj rradhe ne Gjermani. Behet fjale per teatrin shteteror te Wiesbaden, i njohur per historine e sukseset qindra vjecare. Po ashtu dhe ky audicion perfundon me sukses ku Iglit i ofrohet nje kontrate si solist. Me nje axhende shume te mireorganizuar dhe me nje staff shume profesional arrin qe ne nje sezon te beje rreth 80 shfaqje te nje kualiteti shume te larte te standarteve boterore. Sezoni i ri sapo ka filluar ku mjaft surpriza priten per publikun artdashes.

Të ngjajshme