TKK në rinovim, Sheremeti jep detaje për hapësirën alternative, provat dhe premierën e parë

15 Gusht, 2022 - 2:54 pm

Uranik Emini

Më 1 korrik të këtij viti, Teatri Kombëtar i Kosovës i është nënshtruar një procesi që do të duhej të ndodhte vite më parë, pra, atij të rinovimit, shkruan KultPlus.

Ekspertët e Fakultetit të Ndërtimtarisë së Universitetit “Hasan Prishtina” e vlerësuan gjendjen e objektit, për të ardhur në përfundim që ai duhet t’i nënshtrohet një rinovimi.

Në një prononcim për KultPlus, drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Kushtrim Sheremeti, ka thënë se ata e kanë krijuar edhe një plan të veprimit të cilin ia kanë dërguar edhe Ministrisë së Kulturës.

“Ky plan në qendër të tij e ka gjetjen e hapësirës alternative e cila do të adaptohet, në mënyrë që TKK të zhvillojë aktivitetin gjatë kohës sa do të zgjasë rinovimi”, thotë ai.

Sheremeti tutje deklaron se përmes MKRS-së është siguruar puna për skenën e vogël, ku ata po presin që të adaptohet hapësira e Amfiteatrit i cili gjendet në Pallatin e Rinisë.

“Njëkohësisht jemi edhe në pritje të konfirmimit të hapësirës për skenën kryesore që po shpresoj se do ta kemi së shpejti”.

Sa i përket provave dhe rikthimit të punës së teatrit, drejtori thotë se kjo gjë pritet të ndodhë në muajin e ardhshëm.

“Ne jemi duke u përgatitur që në muajin shtator të fillojmë me provat e shfaqjes së parë dhe do të kemi premierën e parë në njërën prej hapësirave qysh në muajin tetor, deri tani jemi duke ecur sipas planifikimeve paraprake”.

Ai gjithashtu njofton se TKK ka edhe një plan tjetër, për të sjellur këtë teatër te të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Në mënyrë të natyrshme pas çdo premiere TKK do të sjellë produktet e veta në teatrot e qyteteve tjera të Kosovës, për t’i reprizuar për shikuesit”, përfundon ai.

Një gjë të tillë e kishte thënë edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, gjatë një diskutimi mbi ligjin për Kulturën.

“Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, pas analizës së bërë e kemi parë që ka nevoje për ndërhyrje emergjente. Kjo për faktin se ajo ndërtesë është shumë e vjetër dhe realisht punëtorët, e aktorët atje po rrezikonin vetën e tyre duke punuar në hapësira të tilla. Ne kemi menduar që Teatri Kombëtar i Kosovës të jetë i gjithë Kosovës, të paktën për një periudhë dhe të mos i përkas vetëm Prishtinës. Prandaj, gjatë kohës së rinovimit, qendrat kulturore nëpër gjithë qytetet e Kosovës, do të shërbejnë si hapësirë alternative për shfrytëzim nga trupa e aktorëve të TKK-së”.

Teatri Kombëtar i Kosovës është institucioni më i rëndësishëm teatror në Republikën e Kosovës, i themeluar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. /KultPlus.com

Të ngjajshme