‘Unë dhe unë’, solo-performanca nga Flaka Latifi që pasqyron qëndrueshmërinë ndaj sfidave të jetës

27 Mars, 2023 - 8:29 pm

Flonja Haxhaj

Në mbrëmjen e 25 marsit, skena e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës ishte e destinuar për aktoren Flaka Latifi, e cila solli performancën ‘Unë dhe Unë’, shkruan KultPlus.

Në sallën e errët e dritat që ishin fokusuar vetëm tek skena, u soll brishtësia e karakterit të ‘Ninës’ teksa u rijetësua ‘Pulëbardha’ e Anton Çehovit.

Kjo performancë, e cila u shoqërua me monologje e me lëvizje të shumta skenike të realizuara me mjeshëtri nga Latifi, ishte një udhëtim dashurie, ndërthurje emocionesh që shpalosi para së gjithash gjendjen njerëzore përmes të qeshurës, gëzimit, vuajtjeve e zemërimit.

Pas kësaj performance, e cila mori duartrokitje të shumta e disa minutëshe nga publiku, e emocionuar për KultPlus foli vetë Flaka Latifi, e cila mes tjerash falënderoi profesorët e saj të cilët e ndihmuan gjatë rrugëtimit të saj në fushën e aktrimit.

‘Për katër vite në fakultet sa kam studiuar plus një vit master, kam pasur fatin të punoj me profesorë të mrekullueshëm edhe për performancën, profesoresha që më ka ligjëruar është Agnes Nokshiqi dhe po besoj që e kam marrë më të mirën prej saj, por të paktën jam shumë e lumtur që kam pasur rastin të marr shumë lëvizje prej saj dhe gjithçka ka qenë e mrekushueshme”, u shpreh Latifi.

Ndonëse në detyrat e saj universitare, i ka hasur shumëherë të punojë e vetme, ajo në performancën ‘Unë dhe unë’, shfaqet për herë të parë solo në një publik më të gjerë. E Latifi shton se kjo ndonëse është më e vështirë, vetëkontrolli i sa ia mundësoi të realizojë një performancë të shkëlqyer.

“Është hera e parë që performoj vetë. Kam pasur më herët shfaqje në grup e me ekip që ka qenë shumë mirë sepse është një ndihmë kur ke partnerë, por për çudi edhe në detyrat që I kemi pasur në lëndën e aktrimit, shumicën i kam pasur vetë edhe ndoshta është një vetë kontroll në skenë sepse çfarë do që bën, mund t’ia dal edhe vetë, sepse e kam në kontrollë çdo gjë vetë”, përfundoi Latifi.

Më pas, për KultPlus foli edhe profesoresha e Universitetit të Prishtinës, Agnes Nokshiqi, e cila vlerësoi lart punën dhe përkushtimin e studentes së saj, sidomos në veprën që ajo e solli të shtunën.

“ Unë e di që ka qenë një punë goxha e gjatë edhe e lodhshme, mirëpo ia ka vlejt çdo hap që është është punuar e që Flaka e ka ndërtu të gjithën vetë”, u shpreh mes tjerash Nokshiqi, e cila më tutje shtoi se ‘Pulëbardha’ e Çehovit ishte një përzgjedhje e përbashkët me aktoren, e kjo edhe për shkak të lidhshmërisë meqë personazhi kryesor ‘Nina’ është vetë aktore.  

‘Pulëbardha’ e Çehovit ka qenë një përzgjedhje e përbashkët. Për shkak të monologut të fundit sepse është lidhur edhe me faktin që personazhi kryesor është aktore. Edhe ka qenë një pikënisje për ta ndërtuar rolin

Ky aktivitet u realizua në kuadër të Fondit për Art Feminist i Artpolis, i cili përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut./ KultPlus.com

Të ngjajshme