“Vrasja e Rexhep Lucit”, premierë në Teatrin Kombëtar

18 Shtator, 2019 - 1:40 pm

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës po bëhen përgatitjet për premierën e shfaqjes “Pesë stinët e armikut të popullit” e dramaturgut Jeton Neziraj, përcjellë KultPlus.

Shfaqja përshkruan Prishtinën e pasluftës e cila dita-ditës po kërcënohej e ngulfatej nga ndërtuesit e fuqishëm ilegalë të cilët, në kundërshtim me të gjitha rregullat urbanistike, po ndërtonin brutalisht në çdo cep të saj. Në anën tjetër, “Pesë stinët…” e përfshijnë edhe misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që në emër të politikave neoliberale të tregut, po e toleronte dhe po i krijonte terren të favorshëm këtij shkatërrimi.

Në këtë proces kanë qenë të inkuadruar edhe shumë prodhues të materialeve ndërtimore nga vendet tjera të Evropës, të cilët kishin interes nga ky “rekonstruktim i shpejtë”.

Duke e parë këtë situatë alarmante, arkitekti e planifikuesi hapësinor Rexhep Luci po përpiqej të vinte kontroll urbanistik. Për kompanitë e ndërtimit e ato të prodhimit, për kastat e korruptuara politike, për mediet oportuniste, për komandantët e luftës, për zyrtarët e UN-it e për shumëkënd tjetër, ai ishte “armiku”. Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa here dhe pastaj edhe ishte vrarë në hyrje të banesës së tij në Prishtinë.

Prishtina, qyteti që ka fituar luftën por e ka humbur paqen, është sot qyteti me ajrin më të ndotur në Evropë, ku kompanitë e ndërtimit vazhdojnë të abuzojnë me dhjetëra mijëra punëtorë të angazhuar në sektorin e ndërtimtarisë, të cilët paguhen keq, punojnë në kushte ekstreme të pasigurisë fizike dhe pa sigurim shëndetësor.

Gjatë një viti në Kosovë, në vendin e tyre të punës, vdesin apo pësojnë aksident qindra punëtorë të këtij sektori. Familjet e tyre nuk kompensohen kurrë.

“Pesë stinët…” është një rrëfim për “heroin që komprometohet nga shumica” dhe për “përgjegjësinë e shumicës, si armike e të vërtetës dhe lirisë” (Ibsen, përmes Stockmann). Por kjo shfaqje na flet edhe për hipokrizinë e misioneve të paqes të UN-it, të cilat, në emër të stabilitetit politik, në emër të paqes, zhvillimit e të rikonstruktimit, mbyllin sytë përballë dr. Stokmanëve, dhe rrjedhimisht, bëhen pjesëmarrës në vrasjen e tyre.

Shfaqja është realizuar nga regjisorja Blerta Neziraj, përderisa luajnë aktorët: Armend Smajli, Shpëtim Selmani, Egzona Ademi, Kushtrim Qerimi, Afrim Muçaj, Verona Koxha.

Muzicientë: Drin Tashi, Tomor Kuçi, Arbër Salihu, skenografia dhe kostumet: M. Nurullah Tuncer, muzika: Irena Popoviq- Dragoviq dhe koreografia nga Gjergj Prevazi.

Shfaqja vjen premierë më datë 24 shtator në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme