24 Qershor, 2025 - 5:02 pm
Shfaqja e Teatrit Kombëtar Eksperimental, “Vrasje në Vjeshtë”, u vu në skenën e Teatrit “Migjeni”, ku u prit me interes nga publiku shkodran.
Shfaqja bazohet mbi motivet e romanit “Njeriu i netëve të vjeshtës” të Gjergj Vlashit dhe vjen me regji dhe dramatizim të Stefan Çapalikut.
Tek “Vrasje në vjeshtë” interpretojnë: Mehmet Xhelil, Rafael Hoxhaj, Xhoana Karaj.
Ngjarja e përshkruar në roman bazohet në fakte reale, të cilat kanë të bëjnë më së pari, me momentin kur ushtritë aleate mbas kapitullimit të Italisë fashiste po ndërmerrnin sulme të befasishme veçanërisht mbi prapavijat e ushtrisë gjermane, duke pasur si objektiv kryesor depozitat e karburantit që do të paralizonin lëvizjet e kësaj të fundit.
Në këtë kontekst, shërbimi inteligjent i ushtrisë gjermane ka grumbulluar të dhëna se aleatët mund të bombardonin portin e Durrësit me çisternat e veta të karburantit dhe me këtë rast do shkatërrohej i gjithë qyteti që gjendej pranë. Në këto kusht ushtria merr përsipër evakuimin e gjithë qytetarëve dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, që presupozonte eliminimin e çdo personi që nuk do i bindej këtij urdhri. Personi i vetëm që nuk do t’i bindet këtij urdhri në romanin e Gjergj Vlashit është Marian Shkoza, një punonjës i thjeshtë i një agjencie detare, beqar.
Ai rri i fshehur fillimisht në shtëpinë e tij dhe më pas edhe në shtëpitë e të tjerëve, të cilat i viziton fshehtazi fillimisht për të realizuar disa nevoja të mbijetesës dhe më pas si dorëzim ndaj një manie për të jetuar jetët e të tjerëve në ato dimensione që nuk ka arritur kurrë t’i përjetojë vetë. Humbja e vetes dhe përmbushja me karaktere të tjera njerëzore e kthejnë atë në një njeri pa identitet dhe me një tjetër sistem vlerash dhe vlerësimesh deri në ditën e “vetëdorëzimit” të tij te një patrullë gjermane që edhe e eliminon fizikisht.
“Vrasje në vjeshtë” do të shfaqet në Teatrin “Migjeni” edhe mbrëmjen e sotme./atsh/KultPlus.com