“Zëra të heshtur” u bënë zëra që dëgjohen, histori që lexohen

Drita nis në një pikë dhe përshkon gjithë trupin.. Një trup që digjet përditë. Aspak i vlerësuar. Shndërrohen në trupa robotësh. Zëri jehon përtej. E artistet në skenë përpëliten ngadalë. E gëlltisin këtë realitet që vjen përtej imazheve sikur të grisura. Imazhet shumëzohen e mbesin veç numra. Por nga zërat transmetohen si histori të përveçme. “Zëra të heshtur” u bënë zëra që dëgjohen, histori që lexohen në mbrëmjen e dytë të “FemArt 13” që vjen nën moton “Çliroje mendjen”. Imazhet janë ato që shtrojnë pyetje. Krejt kjo e ndërthurur mirë artistikisht nga Biloura Intercultural Arts Collective, nën drejtimin e Angie Rottensteiner (Austri) dhe Chiara Bosco (Italia). Ato kanë bashkëpunuar edhe në dramaturgji e zërim. Performanca sjell copëza nga eksploitimi seksual i grave. Të bëjnë të rimendosh krejt çka di për këtë temë: me keqardhje për gjithë paragjykimet që mund t’i keh mbjellur në vete.