“110 vjet me Nënë Terezën”, ekspozohen mbi 200 tituj librash dhe revistash në shqip dhe gjuhë të huaj

10 Shtator, 2020 - 3:00 pm

Mbi 200 tituj librash dhe revistash në shqip dhe gjuhë të huaja që dëshmojnë mbi jetën e Nënë Terezës,   misionin e saj humanitar dhe punën e pa lodhur në këtë fushë u prezantuan sot në ekspozitën “110 vjet me Nënë Terezën”, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Kjo eskpozitë u çel në nder të shenjëtores Nënë Tereza për çfarë ka dhënë në kuadër të dashurisë njerëzore dhe mesazhit humanitar që ka përcjellë për shoqëritë, aq aktuale edhe ditët e sotme.

Ekzistojnë mbi 4000 tituj botime e ribotime për Nënë Terezën aktualisht sot në botë.

Ekspozita u çel në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Argeta LMG”. Me këtë ekspozitë Muzeu Historik Kombëtar mbyll festimet dedikuar shenjtores shqiptare që është një simbol frymëzimi me vlerat e saj kudo ne botë.

“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj ia përkushtoi të varfërve. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Me kalimin e viteve, ajo nga Gonxhe u bë Madre Tereza, e njohur në të gjithë botën dhe e dhënë për të gjithë botën./ ATSH/ KultPlus

Të ngjajshme