18 vitet që Shën Nënë Tereza i ka kaluar si motër e Loretos u rrëfyen në Prishtinë

3 Shtator, 2018 - 10:39 pm

Alberina Haxhija

Sonte në Katedralen Nënë Tereza, në kuadër të treditëshit kushtuar Shën Nënë Terezës, është mbajtur ligjërata “Nënë Tereza, profesoreshë dhe drejtoreshë në Shkollën Shën Mery në Kalkuta – Indi”, nga Don Lush Gjergji, shkruan KultPlus.

Dje është diskutuar fillimisht për Gonxhe Bojaxhiun, jetën e saj familjar dhe famullitare, ndërsa sonte është diskutuar për 18 vitet që Shën Nën Tereza i ka kaluar si motër e Loretos.

“Edhe këtu ka shumë paqartësi, njerëzit thonë se prindërit e saj janë nga Prizreni, si shkuan ata në Shkup, si lindi ajo në Shkup dhe sidomos pse ajo shkoi në një vend aq të largët në Kalkutë që të bëhej motër”, u shpreh Don Lush Gjergji.

Kështu ai para të pranishmëve që ishin mbledhur në sheshin e Katedrales, u mundua që të jepte përgjigje për këto pyetje dhe të paraqiste disa pjesë nga 18 vitet e motrës Tereza, si motër e Loretos.

“Etërit Jezuitë që ishin në Shkup kishin vëllezërit e tyre dhe misionet e tyre në Kalkutë, në Venglai dhe në Indi. Ajo si vajzë e re lexonte çka bëjnë ata dhe si i kushtojnë rëndësi shkollim, si janë njerëzit atje të varfër, për sëmundjet, e të tjera. Pikërisht këto elemente e frymëzuan Gonxhen që të kërkonte prej jezuitëve që ishin në Shkup që të shkonte në Kalkutë në Indi që të ju ndihmonte misionarëve”, u shpreh ai.

Sipas tij ata ia mohuan këtë mirëpo i thanë se janë motrat e Loretos, të ashtuquajtura, të Irlandës të cilat bashkëpunojnë shumë mirë me ne duke i dhënë informata se me kë mund të komunikonte. Kështu ajo ju shkruan një lutje.

“Quhem Gonxhe Bojaxhiu. Gjuha ime amtare është gjuha shqipe, flas serbo-kroatishten që është gjuha zyrtare, e njoh pak mirë edhe gjuhën frëngjishte. Asgjë nuk di për gjuhën angleze, por me ndihmën e Zotit do ta mësoj aq sa më duhet. Nuk kërkoj asgjë tjetër përpos të më mundësoni të jem plotësisht e krishterë”, ka thënë ajo në lutjen e saj.

Në fillim ajo punon si infermiere dhe nuk dihet se përse e ndërpreu këtë aktivitet por më vonë ajo fillon studimet në Universitetin e Kalkutës për histori dhe gjeografi. Aty i kryen me sukses të gjitha studimet dhe bëhet profesoreshë e gjuhës nagamese, gjuhës angleze dhe për lëndët histori dhe gjeografi. Pas disa viteve bëhet edhe drejtoreshë e shkollës.

Gjatë kohës sa është drejtoreshë në vitin 1938, ia shkruan një letër nënës së saj.

“Fortë e dashura nana loke. Bija jote gonxhja e vogël, gonxhe gjyli është e lumtur. Shkolla jonë është shumë e bukur, të gjithë më duan vetëm më mungon që nuk jemi së bashku”.

“Pasi që e merr këtë letër nëna e Gonxhes, ajo fillon që të pyes çfarë po ndodh me Gonxhen e cila më ka njoftuar se po shkon për të ndihmuar njerëzit, të varfër e të sëmurët, ndërsa tani më flet për shkollën e bukur. Kështu vendos që t’ia shkruajë një letër”, tregoi Don Lush Gjergji.

“Fortë e dashura Gonxhe gjyli, tashmë motra Terezë e Loretos. Me vëmendje e lexova letrën që ma shkrove. Të pyes bija ime ku janë të varfëritë për të cilët ke kërkuar që të shkosh? Ku janë të braktisurit dhe njerëzit të tjerë për të cilët unë ta kam dhënë lejen që të shkosh?”, kishte shkruar ajo në letrën qe e tronditi Nënë Terezën. Ajo ishte ndjerë keq pasi që i kishte treguar nënës që ishte e lumtur dhe ajo e kishte pyetur për të tjerët.

“Kjo letër ishte fillim i thirrjes së dytë. Pas andej e dini se në vitin 1946, gjatë udhëtimit me tren prej Kalkutës, ajo e ka një vegim, e sheh Jezus Krishtin dhe me të Zojën Mari, me një mori të njerëzve që ishin në tren por ajo i shihte mirë fytyrat e tyre. Krishti i thotë: A do ma shuash etjen time, a do t’ më bartësh te të varfëritë, me të varfëritë. Zoja i thotë: mos ja prish zemrën birit tënd, thuaj po! Gjithë ata njerëz që ishin në tren e lutnin i thonin: Eja bëju drita e Krishtit dhe na bartë ne te Krishti”, tregoi Don Lush Gjergji.

Pas kësaj ditë Nënë Tereza është e sigurt që Zoti e thërret dhe thoshte se e dinte se çfarë do të bënte po jo sesi do ta bënte këtë. Tutje Don Lush Gjergji tregoi edhe për natën e parë të Nënë Terezës nën qiellin e hapur në Kalkuta, në mes të njerëzve që ishin të lodhur, të varfër.

“O zot nëse nuk mund të bëjë asgjë për këta njerëz, më jep së paku fuqinë të vdes në mesin e tyre, për ta dëshmuar dashurinë tënde”, ishte lutur ajo. Me këtë lutje të bukur të Nënës Terezë, Don Lush Gjergji e përmbylli këtë ligjëratë të bukur dhe emocionuese mbi jetën e Nënës Terezë.

Edhe nesër mbrëma duke filluar nga ora 20:00 do të ketë ligjëratë për jetën e Nënë Terezës./ KultPlus.com

Të ngjajshme