2018, viti i gruas në SHBA

26 Dhjetor, 2018 - 9:30 pm

2018 u quajt Viti i Gruas në Shtetet e Bashkuara, pasi një numër rekord grash u zgjodhën në organe legjislative kombëtare, shtetërore e vendore në mbarë vendin.

Në këtë grup, siç thekson VOA, gjen dhe gra të cilat për herë të parë u përfshinë në politikë kur paraqitën kandidaturën për zgjedhjet e 6 nëntorit, në përgjigje të politikave të administratës Trump. Në janar, në Kongres do të bëjnë betimin një numër rekord grash, plot 126. Që nga fillimet e administratës aktuale, komentet e Presidentit Donald Trump mbi gratë, si dhe politikat e tij nxitën mijëra gra të dilnin në protesta, e disa prej tyre i frymëzuan të konkurronin për poste ku të mund të punonin për ndryshim.

“Marshimi i grave në janar 2017 shënoi fillimin e kësaj lëvizjeje. U shndërrua në një aktivizëm të përqendruar, ku shumë gra u përfshinë të nxitura nga revoltimi i shkaktuar nga komentet e Presidentit dhe nga qëndrimet e tij”, thotë Guian McKee i Universitetit të Virxhinias.

Ajo që e ngacmoi akoma më shumë revoltën e femrave ishin ngacmimet seksuale në vendin e punës, çështje kjo që ndezi një debat mbarëkombëtar dhe u kthye në shkëndijë për lëvizjen #MeToo. Pavarësisht rrugës së gjatë përpara, aktivistët për të drejtat e grave parashikojnë se Viti i Gruas do të vazhdojë përtej 2018-s.


Të ngjajshme