36 % më shumë vizitorë në Parkun Arkeologjik Shkodër

5 Maj, 2025 - 7:30 pm

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër publikoi statistikat e vizitueshmërisë në Parkun Arkeologjik Shkodër sa i përket muajit prill.

Shifrat tregojnë se muaji prill pati 36 % më shumë vizitorë se prilli i një viti më parë. Kjo shifër përkthehet në 39% më shumë të ardhura se në muajin prill të vitit 2024.

“Numri i vizitorëve në Parkun Arkeologjik Shkodër ka ardhur gjithnjë e në rritje, duke dëshmuar sërish se Kalaja e Shkodrës mbetet në krye të listës së siteve më të vizituara në vendin tonë”, shkroi DRTK Shkodër në faqen e saj online duke përsëritur ftesën e vizitës në Rozafat, ku historia dhe natyra gërshetohen në një harmoni të papërsëritshme.

Kalaja e Rozafës qëndron mbi një kodër shkëmbore 130 metra mbi nivelin e detit, e rrethuar nga lumi Buna e lumi Drin, me një sipërfaqe prej gati 9 hektarësh.

Ajo është një simbol i Shkodrës, e pranishme në piktura, gdhendje, shkrime etj. Dokumentimi i parë i emrit Rozaf është ndeshur që në 1215, ndërsa tek Barleti haset në trajtën Rozapha, rreth 1480. /KultPlus.com

Të ngjajshme