500 vjet nga pushtimi i Kostandinopojës, Europa dhe turqit

21 Maj, 2018 - 9:46 am

Bernard Lewis shkruan së rënia e Kostandinopojës nuk qe “fitore e barbarizmit, por më shumë e një qytetërimi tjetër dhe jo mediokër”.

Artikulli është botuar në tetor të vitit 1953. Bota.al e publikon në përkujtim të ndarjes së tij nga jeta më 19 maj, në moshën 102-vjeçare.

Këtë vit turqit po festojnë përvjetorin e 500-të të pushtimit të tyre të Kostandinopojës. Sundimi turk në Europë filloi pothuajse një shekull më parë dhe u vendos fuqishëm në kohën që pushtimi i qytetit perandorak rrumbullakoi dominionet turke dhe e bëri Kostandinopojën edhe njëherë akoma kryeqytetin e një perandorie të madhe. Por përvjetori mund të shërbejë si një rast për disa reflektime lidhur me vendin e Perandorisë Osmane në historinë e Europës dhe të botës.

Për shumicën e europianëve, humbja e Kostandinopojës është një katastrofë e madhe historike, një humbje e kristianizmit e cila nuk është riparuar kurrë. Pavarësisht marrëdhënieve të tashme miqësore midis Turqisë dhe Perëndimit, ekziston akoma një rezervë mosbesimi dhe bile nganjëherë armiqësie, me rrënjë të thella në të kaluarën kristiane europiane. Për shumicën e europianoperëndimorëve të kënduar, fjalët “turk” dhe “Turqi” kanë asociacione komplekse emocionale, të ngjyrosur nga shekuj armiqësie; dhe për europianolindorët panorama tradicionale e pushtuesit turk është bërë pjesë e folklorit kombëtar. Ky imazh perëndimor i turqve ka mjaft burime. I pari nga këto është frika, e ngulitur në mendjen perëndimore gjatë periudhës së gjatë kur turqit po hynin në zemër të Europës dhe dukej se kërcënonin vetë ekzistencën e kristianizmit. Richard Knolles, kronisti elisabethian i turqve, shprehte ndjenjat e Europës kur fliste për turkun si “terrorin aktual të botës”. Edhe në Islandën e largët, njerëzit luteshin që të shpëtonin nga “dinakëria e Papës dhe terrori i turkut”. Që e fundit nuk qe frikë e kotë u tregua nga sulmi i piratëve turk në Islandë në vitin 1627, kur disa qindra të burgosur u dërguan në Algjer.

Kjo ndjenjë frikë u shtua nga armiqësia fetare midis kristianizmit dhe islamit, që i përket pushtimeve të para arabo – myslimane, të cilat kishin hequr provincat kristiane të Sirisë, Egjiptit, Afrikës Veriore dhe Spanjës nga Perëndimi dhe i kishin inkorporuar ato në botën islamike. Përplasja u rinovua nga kundërsulmi kristian në Mesdheun Perëndimor e kryqëzatat dhe sërish nga ofensiva e re myslimane e ndërmarrë ndaj Europës prej turqve osmanë. Edhe shekullarizimi i Europës nga Rilindja kohë më vonë nuk e pakëson seriozisht këtë armiqësi ndaj islamit. Por urrejtja fetare zakonisht jeton më shumë se besimi fetar. Udhëtarët perëndimorë në Turqi, të cilët qenë burimi më i madh i informacionit për botën perëndimore, me pak përjashtime i përforcuan këto paragjykime. Shumicës prej tyre i mungonte perceptueshmëria dhe imagjinata për të kuptuar se cilësitë e mira familjare që ata vlerësonin në shtëpi mungonin në Turqi, atje qenë të pranishme ato të një lloji të ndryshëm. Ata nuk kuptonin se ky qe një qytetërim tjetër, me etikën e tij dhe standardet dhe vlerat e tij. Në kohëra më të vonshme, armiqësia perëndimore ndaj turkut u zgjat nga entuziazmi i filohelenëve të cilët në admirimin e tyre të drejtë për Greqinë i bënë më pak se drejtësi turkut, duke parë tek ai vetëm shkatërruesin brutal të lirive të Hellas-it dhe duke harruar fjalët e famshme të dinjitarit bizantin Lucas Notaras: “Është më mirë të shikosh në qytet pushtetin e çallmës turke sesa atë të rasos latine”.

Në kohën tonë, është shtuar një burim tjetër keqinformimi. Qysh nga përhapja e nacionalizmit në Ballkan dhe në Lindjen e Afërt, më shumë një duzinë shtetesh janë krijuar nga gërmadhat e Perandorisë Osmane, secili me legjendat e veta kombëtare të çlirimit dhe llojin e tij të historiografisë kombëtare. Si shumica e popujve të çliruar, shtetet ballkanike dhe me pas ato arabe tentuan që t’ia vishnin të gjithë defektet dhe mangësitë e shoqërive të tyre sundimit të keq të mjeshtërave të rënë perandorakë. Më të artikuluar në termat perëndimore sesa turqit, aya ia kanë arritur që të bindin shumicën e vëzhguesve perëndimorë për të vërtetën e versionit të tyre të historisë.

Mund të jetë shpresuar që rigjallërimi i të mësuarit në Europë dhe rritja e historisë shkencore do të kishin sjellë më shumë pikëpamje të paanshme dhe një qëndrim më pak paragjykues. Por në fakt nuk ka qenë kështu. Paragjykimi, si shpesh, është gllabëruar nga injoranca. Megjithëse është gjerësisht e pranuar se njeriu nuk e shkruan historinë franceze pa ndonjë referim në burimet franceze, europianoperëndimorët vazhdojnë që të shkruajnë historinë turke – të riemëruar Çështja Lindore – pa asnjë referencë në atë çka vetë turqit kanë për të thënë lidhur me të. Por burimet turke ekzistojnë në sasi të mëdha – histori, kronika, dokumenta arkivore me miliona, shumica e të cilave janë botuar. Nuk ka më asnjë nevojë për t’i shikuar turqit vetëm nëpërmjet syve të rivalëve dhe armiqve të tyre.

Ky qëndrim negativ ndaj turqve, megjithëse predominues, nuk është i vetmi. Ekziston gjithashtu edhe ajo që dikush mund ta quajë një legjendë pozitive të turkut në Europë – dhe këtu nuk po flas për konsideratat politike dhe ushtarake që herëpasëhere i shtyjnë liderët europianë të darkojnë me turkun, megjithëse me lugë të gjatë. Perëndimi ka një legjendë romantike apo heroike të turkut, e cila sërish ka origjina të ndryshme. Nganjëherë ajo ka qenë doktrina perëndimore e “të egrit fisnik” – me turkun që luan gjithmonë këtë rol. Nganjëherë turku, ashtu si popujt e tjerë ekzotikë, është përdorur si një mjet për koment social në Perëndim; nganjëherë, gjithashtu, është një mjet kundërshtie antikristian apo më specifikisht antikatolik, njëlloj sikur polemistët protestantë të shekullit të XVI-të krahasuan tolerancën turke me represionin katolik. Nganjëherë, një apo tjetër grup kombëtar apo social në Perëndim përjetoi apo imagjinoi një ndjenjë afiniteti me turqit. I tillë për shembull që miti panturanian i avancuar nga disa intelektualë hungarezë, të cilët kërkuan një aleancë hungaro – turke kundër kërcënimit të përbashkët të pansllavizmit. I tillë qe gjithashtu qëndrimi i disa elementëve midis klasave sunduese angleze, të cilët shikonin tek myslimani osman një xhentëlmen prej kishte të vendosur dhe tek kristiani osman një jokonformist rebel. Në përgjithësi, ekzistojnë dy prototipe turku në legjendën perëndimore, njëri i shprehur me fjalën “i urryer”, tjetri me fjalën “xhentëlmen”. Të dy kanë të bëjnë pak me Turqinë e vërtetë. Në atë çka vijon, unë propozoj që të shqyrtoj disa prej akuzave specifike të ngritura kundër turqve ose më mirë disa prej defekteve të supozuara të tyre, ekzistenca e të cilave në heshtje pranohet si aksiomatike, dhe për të parë sesa larg janë ato të justifikuara nga një shqyrtim i paanshëm i dëshmive.

Një supozim i rëndomtë është se turku qe një barbar brutal pa kulturë. Por turqit osmanë kanë një letërsi të pasur, që shkon prapa në shekullin e XIII-të në Turqi dhe akoma me herët midis popujve turq lindorë të Azisë Qendrore. Ndoshta jo në nivelin e letërsive të mëparshme myslimane në arabisht dhe persisht, ka akoma shumë nga ajo që është shumë më tepër se vlerë lokale, veçanërisht në traditën e madhe të shkrimit historik. Historiografia osmane nuk konsiston thjesht në anale, por në histori të vërtetë, nganjëherë duke arritur bile një cilësi epike. Kjo letërsi është pak e njohur në Perëndim, por ky vështirë se është faji i turqve. Më lehtësisht të sigurueshme për vizitorët e huaj janë lavditë e artit dhe arkitekturës osmane – xhamitë e mrekullueshme që akoma hijeshojnë Turqinë dhe shtetet pasuese; miniaturat, punët metalike dhe produktet e arteve industriale dhe dekorative. Jo më pak e rëndësishme nga këto është arti karakteristik i kaligrafist, shpesh i nënvlerësuar apo i keqkuptuar nga vëzhguesit perëndimorë, por në gjendje të arrijë një nivel të lartë vetëshprehjeje artistike. Kultura turke, sic do të shpresonte njeriu, është kryesisht islamike dhe osmani i arsimuar ishte familjar me klasikët arabë dhe persë siç qenë bashkëkohësit e tij perëndimorë me ato të Greqisë dhe Romës.

Megjithatë, një interes në qytetërimin perëndimor, megjithëse shumë i kufizuar, nuk mungoi tërësisht. Mehmet Pushtuesi kishte një njohje të greqishtes dhe një bibliotekë me libra grekë. Enturazhi i tij përfshinte humanistin italian Ciriaco Pizzocolli of Ancona dhe humanistin grek Critoboulos. Ky i fundit – i cili ishte biografi i Mehmetit – përmend interesin e tij në gërmadhat dhe reliket greke, dhe kur përshkruan mrekullimin e Mehmedit në Partenon, arrin t’i dhurojë atij titullin e “filohelenit”. Pas marrjes së Kostandinopojës, Mehmedi duhet ta mbante premtimin e bërë trupave të tij për t’u dhuruar tri ditë të lira në qytetin e pushtuar, por shkrimtarët grekë dhe perëndimorë konfirmojnë se ditën e katërt ai mori masa për të mbrojtur dorëshkrime, ndërtesa dhe relike. Disa studiues thonë se pushtimi turk i Kostandinopojës qe më pak shkatërrimtar se ai i kryqëzatave perëndimore në vitin 1204.

Një fjalë e përdorur shpesh për të përshkruar Perandorinë Osmane është “copë copë” dhe ekziston një përshtypje e përgjithshme se qeveria osmane qe gjithmonë e paaftë, e korruptuar dhe e mefshtë. Megjithatë, dokumenta të panumërta në arkivat e Stambollit tregojnë se deri në shekullin e XVI-të perandoria qeverisej nga një strukturë burokratike e përpunuar, jashtëzakonisht e kujdesshme në detyrën e saj të administrimit të një perandorie të madhe. Vetëm një seri regjistrash, në mbi 1000 vëllime, përmban një regjistrim për qytete, fshatra, popullsi dhe të ardhura për të gjithë Perandorinë nga Budapesti nga Bagdad. 50000 e më shumë regjistra të lidhura dhe miliona letra, ende të ruajtura në arkivat turke, tregojnë se cilatdo që mund të kenë qenë defektet e administratës osmane, ajo që në periudhat e fillimit dhe të mesme aspak “copë copë”.

Kundër akuzës së shkatërrueshmërisë që shpesh bëhet kundër sundimit turk, mund të përmendet e njëjta dëshmi. Regjistrat tregojnë një rritje në popullsi dhe në begati në shumicën e zonave pas pushtimit, të cilën udhëtarët – aspak dëshmitarë miqësorë – e konfirmojnë. Në territoret arabe, sundimi osman solli paqe e siguri pas tmerrit të rëndë të sundimit të vonshëm mamluk. Edhe në Ballkan, qeveria osmane solli unitet e siguri në vend të konflikteve dhe kaosit të mëparshëm. Në luftërat e pushtimit, një pjesë e madhe e aristokracisë latifondiste u shkatërrua dhe pasuritë e tyre të pazot u inkorporuan në sistemin feudal osman dhe ju dhuruan ushtarëve osmanë. Nën rendin osman, mbajtësi i këtyre pronave preokupohej vetëm me të ardhurat dhe nuk kishte të drejta sinjorie. Për pasojë, fshatarët gëzonin liri shumë më të madhe në fermat e tyre sesa më parë, ndërsa veprimi i ligjit osman e parandalonte njëherazi copëzimin e përqëndrimin e pronësisë mbi tokën. Kjo siguri dhe begati, e dhënë një bujqësie fshatare nga një qeveri e cila kisha trashëguar besnikërinë vjetër të detyruar nga popujt ballkanikë ndaj fronit perandorak bizantin, bëri shumë për t’i pajtuar ata me defektet e tjera të sundimit osman dhe shpjegojnë në një masë të madhe qetësinë e gjatë që mbretëroi në Ballkan deri në futjen shpërthyese të ideve nacionaliste nga Perëndimi. Edhe Kostandinopojës, pushtimi osman i solli një begati të re, teksa qyteti u transformua nga një fosil në kryeqytetin e lulëzuar të një perandorie të madhe.

Një tjetër akuzë është ajo e tiranisë. Sigurisht që Sulltani nuk ishte demokrat, por, në fund të fundit, demokracia siç e njohim dhe e praktikojnë ne atë ka lulëzuar vetëm në pak vende dhe në shumicën prej tyre është e vonshme dhe e parakohshme. Sulltani nuk qe një despot i vërtetë, por gardiani suprem i Ligjit të Shenjtë të dhënë nga Zoti të islamit, ndaj të cilit vetë ai ishte subjekt. Është e vërtetë se Ligji i Shenjtë i jepte atij një pushtet pothuajse despotik dhe se kjo nuk siguronte për zbatimin kundër tij, por, në analizë të fundit, Ligji i Shenjtë mbeti baza e strukturës sociale dhe politike të Perandorisë dhe vëzhgohej nga sulltanët, sovraniteti i të cilëve pranohej dhe respektohej nga njerëzit, myslimanë dhe kristianë qofshin, si i drejtë dhe i pashmangshëm.

Dy cilësi të tjera që u janë atribuuar turqve janë fanatizmi dhe jotoleranca. Turqit osmanë në të vërtetë qenë myslimanë fanatikë, të përkushtuar ndaj ruajtjes dhe zgjerimit të shtetit islamik. Por toleranca është një cështje relative. Sipas parimeve të deklaruara nga demokracitë moderne, tolerancë nënkupton mungesë diskriminimi. Në këtë kuptim, osmanët nuk qenë tolerantë, përderisa jomyslimanët nuk qenë të njëjtët civilë dhe socialë si ndjekësit e besimit fetar dominues, por qenë subjekt i një numri pabarazishë ligjore. Por kjo lloj tolerance është e re dhe e pasigurtë, bile edhe në Europë, dhe nuk është më vend që të shikohet për të në Perandorinë e vjetër Osmane. Nëqoftëse e përkufizojmë tolerancën si mungesën, jo të diskriminimit, por të persekutimit, atëhere kurrikulumi osman deri në fundin e shekullit të XIX-të është i shkëlqyer. Preferenca e mirënjohur e grekëve të shekullit të XV-të për sundimin turk në vend të atij frank nuk qe pa arsye. Konfrontimi i kristianizmit dhe i islamit nganjëherë është krahasuar me Luftën e Ftohtë aktuale. Krahasimi është i vlefshëm në shumë pika, por duhet të kujtojmë në bërjen e tij se lëvizja kryesore e refugjatëve në shekujt e XV-të dhe XVI-të qe nga Europa në Turqi dhe jo anasjelltas. Kur sundimi osman në Ballkan mori fund, popujt ballkanikë e rimorën ekzistencën e tyre kombëtare, me besimet fetare, gjuhët dhe kulturat kombëtare të tyre të paprekura. Nuk ka asnjë mysliman sot në Spanjë apo Siçili dhe asnjë folës të arabishtes.

Një shembull i mirë i mënyrës me të cilën udhëtarët dhe diplomatët europianë i keqkuptuan dhe i keqinterpretuan institucionet osmane na jepet nga fjala “raja”. Sipas pjesës më të madhe të udhëtarëve europianë, pasuar nga pjesa më e madhe e historianëve, fjala raja nënkupton bagëti dhe ajo u aplikohej subjekteve kristiane të Portës, qëndrimi grabitqar i së cilës ndaj tyre shprehet tek termi. Në fakt, e folmja osmane deri në mesin e shekullit të XVIII-të e përdorte termin për popullsinë fshatare të Perandorisë, pavarësisht besimit fetar. Kështu, fshatarët myslimanë qenë raja dhe banorët e zonave kristiane nuk qenë të tillë. Vetë fjala vjen nga një rrënjë arabishte, që do të thotë të përtypësh, dhe do të ishte mirë të përkthehej si kope, duke shprehur idenë e mirënjohur baritore të qeverisë, e cila është e rëndomtë në kristianizëm dhe në islam. Ky është një koment kurioz lidhur me modelin e influencës perëndimore ndaj Turqisë, që nga mesi i shekullit të XVIII-të keqinterpretimi perëndimor i termit u kaloi vetë turqve, të cilët filluan ta përdorin dhe nganjëherë edhe ta zbatojnë atë në kuptimin dikur të gabuar perëndimor.

Me rënien e Perandorisë Osmane, disa akuza tradicionale kundër turqve pjesërisht u bënë të justifikuara. Kultura osmane ra në një përsëritje dhe imitim të thjeshtë të modeleve të mëparshëm. Administrata osmane vazhdoi të jetojë deri kur Perandoria vërtet u bë “copë copë”. Dobësia në rritje përballë pushtimit të huaj dhe rebelimit të brendshëm shpesh çuan në shtypje, brutalitet dhe tirani. Dyshimi, urrejtja, frika dhe nganjëherë, mund të shtojmë ne, shembulli i jotolerancës perëndimore e transformuan qëndrimin turk ndaj popujve të nënshtruar.

Por kur e gjitha kjo është thënë dhe bërë, do të argumentohej, turqit janë në mjedis të huaj dhe armiqësor në Europë. Deri shumë vonë ky përshkrim ishte i merituar në mënyrë të pamohueshme, por problemi nuk duhet ekzagjeruar. Nuk qenë barbarët nga stepat e Azisë Qendrore ata që pushtuan Europën juglindore, por një popull mysliman i qytetëruar, dhe islami, pavarësisht konfliktit të tij të gjatë me kristianizmin, ka shumë gjëra të përbashkëta me të. Të ndajnë trashëgiminë herreje të profecisë, zbulimit, monoteizmit etik dhe ligjit hyjnor. Të dy ndanin trashëgiminë heleniste, së cilës islami i ruajti filozofinë dhe shkencën, ndërsa Perëndimi i ruajti letërsinë dhe artin. Islami është shumë më tepër i ngjashëm me Europën në traditat kulturore të tij sesa Orienti i vërtetë, në Indi dhe në Kinë. Por turqit qenë familjarë në një kuptim më të afërt dhe më material. Ata kanë qenë në Anadoll qysh nga shekulli i X-të, duke absorbuar racat e vjetra të gadishullit; në Europë qysh nga shekulli i XIV-të. Në kohën që pushtuan Kostandinopojën, ata qenë përshtatur shumë mirë në Ballkan, përzier me gjakun grek, sllav dhe shqiptar. Meshkuj kristianë nga lindja qenë të rëndësishëm në oborr dhe në ushtri – trupat e jeniçerëve konsistonin ekskluzivisht në të tillë. Mehmet Pushtuesi ishte komod në greqisht dhe në Greqi. Në shumë kuptime, turqit qenë më pak të huaj në Kostandinopojë sesa qenë kristianët perëndimorë.

Sigurisht që humbja e Kostandinopojës qe një humbje për kristianizmin dhe Europën, megjithëse ndoshta jo dhe aq totale sa ishte frika dikur. Nuk është pa domethënie që turqit sot po festojnë përvjetorin e 500-të të fitores së tyre të madhe me kalendarin gregorian dhe jo me atë mysliman. Ajo nuk qe një fitore e barbarizmit, por më shumë i një qytetërimi tjetër dhe jo mediokër. Katër minaret e holla e të gjata që turqit i shtuan Kishës së Shën Sofisë, për kristianin, mund të jenë një përdhosje, por nuk janë shkatërrim.

Bernard Lewis lindi në vitin 1916 në Stoke Newington të Londrës. Ai ishte historian orientalist dhe komentator politik. Ka dhënë mësim në London School of Oriental and African Studies dhe në University of London. Ishte i specializuar në historinë e islamit dhe në ndërveprimin midis islamit e perëndimit dhe ishe veçanërisht i famshëm në qarqet akademike për veprat e tij lidhur me historinë e Perandorisë Osmane. U nda nga jeta më 19 maj, në moshën 102-vjeçare./ KultPlus.com

Të ngjajshme