Profesori i studimeve islame bën thirrje të ndërtohen fabrika e laboratorë e jo xhamia e kisha

22 Korrik, 2018 - 6:30 pm

Njëri prej profesorëve në Fakultetin e Studimeve Islame, Xhabir Hamiti ka bërë thirrje të ndalohet ndërtimi i faltoreve të panevojshme nëpër vende të ndryshme të Kosovës.

Kërkesa e tij është drejtuar kah organizatat humanitare ndërkombëtare që po bëjnë ndërtime të xhamive e kishave në tërë Kosovën.

“A bënë t’i lusim “humanitarët” e vendeve islame, por edhe të krishtera të ndalojnë që edhe më tutje të bëjnë garime në ndërtimin e faltoreve në mesin tonë”, ka kërkuar Hamiti, përmes një statusi në fb.

Ky profesor që ligjëron parimet fetare islame ka bërë thirrje të investohet në shkencë e hulumtime për të rritur mirëqenien e qytetarëve.

“Trojet tona dhe kombi ynë sot, krahas faltoreve të domosdoshme për besimtarët, është më se i nevojshëm për hapjen e ndonjë laboratori shkencor, instituti të hulumtimit apo fabrika prodhimi të cilat do të ndihmonin në përmirësimin e mirëqenies sociale për qytetarët tanë”, ka shtuar ai.

Hamiti ka cituar një fjalë shqipe dhe një arabe për të përshkruar krizën e besimit që vjen si pasojë e kushteve të këqija ekonomike, shkruan Gazeta Express.

Prandaj, ai ka thënë se s’ka nevojë të ketë dy e tri faltore në një fshat a lagje për besimtarët që s’i mbushin as ditëve të festave.

“Varfëria dhe mungesa e përspektivës zbehë dhe vë në rrezik edhe lidhjen e besimit me Zotin. Fjala e urtë arabe thotë: “ Varfëria pothuajse të shpie në mos besim”. Ndërsa ne shqiptarët themi: “Varfëria të qonë në derë armikut”. Faltoret na duhen si të domosdoshme, por jo edhe nga dy brenda dy lagjeve të një fshati, e të cilat nuk mbushen asnjëherë me besimtarë, qoftë edhe në ditët e shënuara festive./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme