A po bleni a po gatuni?

15 Prill, 2020 - 4:58 pm

Iniciativë e Muzeut të Mitrovicës

Qysh po t’dalin bukët?

E pamë se mielli si produkt ushqimor në këtë kohë të konfrontimit me COVID-19 ishte përbërësi më i kërkuar për tu siguruar në shtëpitë tona. Ishim dëshmitarë të radhëve të gjata në pritje për të siguruar thasë me miell. Ajo që dëgjohej ndër miq, kolegë e familjarë ishte se: se a e sigurove miellin? Sa thasë i more? A ish shtrejtuar mielli? …

Mos të harrojmë: ky popull është popull buknor, bukën e ka shenjën esenciale kulturore. (A.Canolli)
Në këto kohëra të izolimit, anipse furrat e bukëpjekësit akoma e vazhdojnë veprimtarinë e tyre, buka kryesisht po përgatitet në ambientet shtëpiake, duke na kthyer prapë në “magje”.
Jemi dëshmitarë që së fundmi në mediat sociale shohim lloje të ndryshme të bukëve si: bukë nore, bukë si n’vekne, kulaqe të ndryshme të lyera me vezë e susam, pitalka, samune me djathë e suxhuk apo edhe lloje të tjera brumërash. Ky trend në kohën e pandemisë është duke vënë në pah marifetli të gatimit e përgatitjes si gra e burra, të rinjë e më në moshë që me krenari tregojnë bukët e dala valë nga furra e drejt në mediat sociale.

Duke rikujtuar faktin se jemi duke kaluar së bashku këtë situatë të pazakontë, ju ftojmë ta ndani bukën e sapo përgatitur përmes fotografive apo edhe recetave, që së bashku ta shijojmë shujtën më të rëndësishme në kulturën tonë, ta shijojmë bukën tonë për shëndet e të mira.
Presim t’i shohim bukët tuaja!/ KultPlus.com

Të ngjajshme