Adelajda, gruaja shqiptare dhe trupat e vajzave në tavolinë

30 Tetor, 2017 - 4:45 pm

SIBEL HALIMI
Jo rastësisht trupat e vajzave tek emisioni “E diela” e Ardit Gjebresë janë shndërruar në tavolina. Në shoqëritë shqiptare, trupi i grave është tavolinë mbi të cilën ushqehen misogjenistët. E për mungesë të një vetëdije kritike, kjo shoqëri e cila gjithçka ka shndërruar në konsum, di vetëm të ekzaltohet nga një shfaqje e tillë, në të cilën gratë nëse nuk janë tavolina janë shërbyese të ushqimit në to. Përfshirja e patriarkalitetit në media, sot përbën pengesën më të madhe për ndryshim të këtij botëkuptimi. Sot vajzat dhe gratë i nënshtrohen një dhune sistematike nëpërmjet ofrimit të modelit seksist për atë se çfarë në të vërtet e përbën trupin e një vajze apo një gruaje. Naomi Wolf thotë se: “në aspektin e mënyrës se si ndihemi fizikisht për veten tonë, në të vërtetë mund të jemi më keq se gjyshet tona të pambrojtura”.
Primitivizmin shqiptar askush nuk e ilustron më shumë se sa personazhi i gazetares Adelajda. Ajo tregon se në vendet si Shqipëria e Kosova, një grua e ka të vështirë ta realizojë ëndrrën, të funksionojë jashtë kontrollit të dikujt, cilido qoftë ai dhe në të gjitha dimensionet e shoqërisë.
Sot, Adelajda na kujton se për të ikur nga një vend si Kavaja në ndjekje të pasionit, sakrifica mund të transformohet në fat fatal. Personazhet si ajo, na kujtojnë se në shoqëritë shqiptare duhesh të shndërrohesh në tavolinë, po që se bënë përpjekje ta projektosh veten jashtë kornizës patriarkale. Për më tepër, shuarja e saj fuqizon idenë për ikjen e grave nga çfarëdo tavoline.
“Në qoftëse një ditë zgjohesh dhe nuk e sheh diellin, ose dielli je ti vetë ose ke vdekur…”, shkruan Jim Morrison.

Të ngjajshme