Akropoli i Athinës rrezikon të shkatërrohet nga përmbytjet e zjarret

25 Qershor, 2019 - 8:29 pm

Ndryshimet klimatike po kërcënojnë monumentet e lashta greke, e një prej tyre është edhe Akropoli, një prej vendeve arkeologjike më të vizituara në botë.

Zjarret dhe thatësia e madhe janë disa prej kërcënimeve, me të cilat po përballet Athina gjatë viteve të fundit.

Këto kërcënime u bënë të ditura nga ekspertë të ndryshimeve klimatike, që për këtë punë janë përkrahur edhe nga UNESCO, raporton KTV.

Ndotja e ajrit dhe shiu po i gërryejnë monumentet dhe detajet e tyre që i kanë rezistuar kohës, ndërsa moti ekstrem ka çuar te problemet strukturale të mureve të lashta.

Ani pse Akropoli është në një kodrinë, aty ku qëndron edhe tempulli i Panteonit, dhe është një prej vendeve më të ruajtura arkeologjike, prapë ka shenja të ndryshimeve klimatike që kanë pasur efekt në monumente.

Muret e qytetit të lashtë të Athinës po kërcënohen më së shumti nga këto ndryshime klimatike.

Që prej vitit 2004, inxhinierët dhe restauruesit kanë përdorur teknologjinë me laser për të pastruar nga ndotja sipërfaqen e monumenteve të lashta.

Ruajtja e këtyre monumenteve nga ndotja vazhdon të jetë debati kryesor, madje disa prej ekspertëve kanë rekomanduar mbulimin e tempullit me një çati.

Ngritja e nivelit të detit dhe përmbytjet rrezikojnë të shkatërrojnë themelet e qytetit të lashtë dhe çdo vit Greqia ka investuar miliona euro për ruajtjen e tyre.

Pjesa periferike e Athinës vazhdimisht është përballur me përmbytje të mëdha dhe zjarre të shumta. Kryeqyteti shpesh është i mbuluar nga tymi e ndotja e trafikut.Koha.net / KultPlus.com

Të ngjajshme