“Albania e Vogël” e Bronx-it

18 Gusht, 2018 - 9:00 pm

Nga Muhamet Mjeku, New York

Në Bronx, lagje e New York-ut, me më shumë se 2 milionë banorë, ndodhet “Arthur Avenue” një ndër më të frekuentuarat në këtë hapësirë gjeografike.

Kjo avenue është shumë e njohur për gravitimin e shqiptarëve, më shumë se në çdo vend tjetër në SHBA.
Të shtunën dhe të dielën këtu dëgjon larmërinë e shqipes si në Prishtinë, në Tiranë, në Ulqin dhe në krahina të tjera shqiptare. Të them kushtimisht, shumëkush e ndjen veten si në atdhe, me ushqime tradicionale shqiptare që, pak ose hiq, s’i gjen në pjesët tjera ku jetojnë shqiptarët në SHBA.

“Arthur Avenue” ose “Little Italy” siç e quajnë italianët, apo “Albania e Vogël”, siç i thonë shqiptarët, gjendet në një vend impresiv të Bronx-it, përballë Universitetit Fordham, jo larg Kopshtit Botanik, i cili është i njohur për botën bimore, llojshmërinë e luleve dhe bimëve që rritën në të, si dhe Kopshtit Zoologjik që përngjan me Parkun Nacional të Kenias afrikane.

Lidhjet mijëvjeçare mes italianëve dhe shqiptarëve kanë afruar këto dy komunitete, që në mesin e tyre ka edhe arbëreshë të ardhur nga Kalabria. Kjo afërsi jetese, me gjasë, do të ketë ndikuar që shqiptarët në fillim të jenë përafruar me pronarët italianë, e më vonë të kenë hapuar bizneset e tyre në “Arthur Avenue”, në këtë qendër, e njohur edhe si Mercata italiane (1940) për xhirimin e shumë filmave amerikan me artistë të famshëm si Robert Denire, Al Pacino, Kirk Dougllas etj.Brenda një viti xhirohen tre katër filma artistik e dokumentarë. Jo fort larg kësaj avenuje në vitet e 70-ta lindi repi, muzika hip-hop.

Në “Albania e Vogël” shqiptarët sot mbajnë shumë biznese, duke filluar nga restorantet me ushqime tradicionale shqiptare, shumë kafene, biznese të fuqishme për shit-blerje (Really State), dyqane me artikuj të ndryshëm ushqimorë nga Ballkani, zyre biznesi, Albanian Yellow Pages, shoqata dhe zyre avokatësh.
Këtu nisi botimi i gazeta “Illyria” dhe tash në këtë zonë botohet gazeta “Dielli” dhe ajo “Malësia”. Më parë janë botuar edhe revista të ndryshme, të cilat sot interneti i ka qitur jashtë.
Shqiptari i parë që hapi biznesin në “Arthur Avenue” ishte z. Ëngjëll Zagreda, me origjinë nga fshati Reç i komunës së Ulqinit. Ai në qendër të kësaj avenue-je në vitin 1972 hapi një mishtore. Në vitin 1975 Hasan Goranca bëhet themelues i një agjencie udhëtimi, pasi kishte vërejtur se numri i shqiptarëve në Bronx po shtohej prej viti në tjetrin.

Tani, emigracioni ynë kur udhëtonte për atdhe, blinte bileta në këtë agjenci dhe në dy agjencitë e tjera që u hapën ndërkohë nga partnerët Vuksanaj- Grisha, dhe tjetra nga Luigj Shkreli. Me hapjen e këtyre bizneseve fillestare, shqiptarët, që jetonin në Bronx, nisën t’i afrohen gjithnjë e më shumë “Arthur Avenue-s”.
Meqë Bronx-i, me kalimin e viteve bëhet tërheqës, në Pelham Park Way, u formua lagjja me vendbanimin më të madh të shqiptarëve në New York.

“Albania e Vogël”, bëhet edhe vend punësimi për emigracionin shqiptarë. Derisa ata që vinin nga Kosova dhe Mali i Zi-malësorët, përqendroheshin kryesisht në Bronx, shqiptarët nga Maqedonia dhe Ulqini u vendosen në Staten Island, Brooklyn etj.

Pas rënies së komunizmit shumë shqiptarë të Shqipërisë erdhën në Bronx. Në “Arthur Avenue”, të shtunën dhe të dielën, numër i madh i shqiptarëve vijnë për pazar apo për të takuar ndonjë mik nga Staten Island, Manhattan-i, Brooklyn-i, Long Island, New Jersey, Connecticut, Waterbery e pjesët tjera të rrethinës.

Në “Albania e Vogël” u zhvilluan shumë aktivitete në ndihmë Kosovës, në ditët më të vështira të saj për liri dhe pavarësi. Nga këtu, për gjendjen e luftës në Kosovë, duke biseduar me shqiptarë, raportuan CNN, Fox News, New York Times, New York Post, Daily News dhe media të tjera amerikane./ KultPlus.com

Të ngjajshme