‘Antigonea’ gati për të pritur vizitorë vendas e të huaj

23 Maj, 2023 - 7:00 pm

Çelet “Porta e beharit turistik” në sitin arkeologjik të Antigonesë në Gjirokastër.

Prefekti i Qarkut Gjirokastër, Odise Kote, në ditën e diversitetit kulturor në Parkun Antigone, ka dhënë mesazhin e qartë se, zbulimi dhe rizbulimi i thesareve të trashëgimisë historike e kulturore është pjesë e rëndësishme e ruajtjes, e zhvillimit të identitetit kombëtar, e njohjes së vetvetes.

“Pranimi i dimensionit kulturor të tjetrit është një nga vlerat më emancipuese të qytetërimit shqiptar, vlerë që ka sjellë harmoni, mirëkuptim e bashkëjetesë shembullore në botën shqiptare”, ka shkruar prefekti i Qarkut Gjirokastër, në rrjetet sociale, ku dhe bëri ftesë për zbulimin e hireve e stolive të Parkut të Antigonesë, një nga kërshëritë përvëluese të vizitorëve vendas, të botës shqiptare e të huaj.

Antigonea, me sip.45 ha, territor mbi 90 ha, qytetërim i shekujve të III para krishtit është një nga atraksionet më të rëndësishme të rajonit e krejt Ballkanit.

Në ceremoninë e çeljes së “Portës së beharit turistik”, ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi.

Me këtë rast ishte përgatitur një shfaqje me këngë e kostume tradicionale si dhe një mini panair me prodhime ushqimore të zonës si dhe punime artizanale./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme