Arban Abrashi premton ndërtimin e Muzeut Memorial

3 Nëntor, 2017 - 4:45 pm

Një prej dy kandidatëve për të parin e Prishtinës, Arban Abrashi, ka shkruar në rrjetin e tij social Facebook se me ardhjen e tij si kryetar do të iniciohet ndërtimi i Muzeut Memorial.

Muzeu do të fokusohej në periudhën 1989-1999.

“Përjetësimi i kujtesës kolektive të periudhës 1989-1999 me anë të Muzeut memorial të cilin do ta ndërtojmë e i cili do të mbledhë, regjistrojë e prezantojë ngjarjet e kësaj periudhe me anë të fotografive, relikteve, videoxhirimeve etj. Kështu do t’i kontribuojmë historisë por edhe turizmit në Prishtinë” ka shkruar Abrashi në postimin e tij në Facebook.

Kjo duket të jetë edhe njëra prej pikave të programit për Prishtinën, nga Abrashi dhe ekipi i tij punues, shkruan KultPlus.

Në anën tjetër, një ide për një Muze të tillë shumë vite më parë e pati dhënë një organizatë joqeveritare në Kosovë.

Raba Gjoshi, një aktiviste për të drejtat e njeriut, ka qenë ndër të parat që e ka dhënë këtë ide, më pas e përkrahur edhe nga YIHR – Nisma për të Drejtat e Njeriut në Kosovë. Dhe kjo ide është prezantuar në vitin 2012-të, pikërisht kur në Komunën e Prishtinës ishte kryetar Isa Mustafa, nga e njëjta parti me Arban Abrashin.

Komente të ndryshme në rrjetet sociale kanë ardhur edhe nga ideatorët dhe ata që dëshirojnë t`ia kujtojnë Abrashit se ideja është e kamotshme për qeverisjet e mëtutjeshme nuk kanë bërë asgjë konkrete për ndërtimin e një Muzeu të tillë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme