Arbëreshët në Lezhë e Krujë: Gjaku nuk prishet

22 Prill, 2018 - 10:04 am

Mëngjesi i së shtunës kishte sjellë në Portin e Durrësit 60 arbëreshë nga Italia, të cilët kanë ardhur në pjesën tjetër të detit të shënojnë Vallen e Fitores, në 557 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, shkruan KultPlus.

Një festë të tillë gjithmonë e kanë shënuar në Itali, në pjesë të ndryshme ku janë shtrirë arbëreshët tash e mbi 500 vjet, por këtë traditë të tyre, të njëjtit po e festojnë tash e dy vite edhe në Shqipëri.

Krejt kjo festë bëhet për shënimin e fitores së betejave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut ndaj forcave otomane, dhe prijësi i tyre nga ana tjetër e detit, Pirro Qendro ka thënë për KultPlus se kjo iniciativë lindi si dëshirë,më pas për tu shndërruar në një realitet, dhe sipas tij, ansamble të ndryshme të arbëreshëve, të cilët prezantohen edhe me pika të ndryshme muzikore tashmë janë pjesë edhe e shumë festivaleve mbarëkombëtare.

Arbëreshët e Italisë, fillimisht kanë nisë prezantimin e tyre në Kalanë e Prezës, për të vazhduar më pas në Memorialin e Skënderbeut, e krejt në fund të Kalaja e Krujës,për të shënuar kështu paraqitjen e fundit të tyre të ditës së parë, pasi që, prezantime të ndryshme të këtij komuniteti do të paraqiten edhe përgjatë ditës së sotme dhe ditën e hënë.

Gjaku nuk prishet, ne jemi si dallëndyshet, kthehemi cdo herë në pranverë, dhe deklarata të ngjashme që tregojnë se ky komunitet nuk do të harrojë asnjëherë rrënjët, ishin vetëm disa prej deklaratave të cilët shprehën arbëreshët, mu pranë varrit të Skënderbeut, sikurse donin ti tregonin heroit të madh kombëtar, se pasardhësit e tij do të kthehen gjithmonë te rrënjët e tyre.

Noe Andreano, përfaqësues i Kazalvekios në Itali para të pranishmëve ka thënë se janë të nderuar që janë në Shqipëri. “Jemi shumë të nderuar që po shënojmë betejat e Skënderbeut, mbi të gjitha, historinë tonë. Dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet që të rujmë traditën dhe kulturën tonë. Atë që e bëjmë ne, edhe ju e bëni, sepse, gjaku nuk prishet”, ka thënë Andreano.

Kurse përfaqësuesi nga Lungro, Gjyzepino Santoniano përpos që ka treguar për gatishmërinë e arbëreshëve për të ardhur në Shqipëri dhe më gjerë, i njëjti ka bërë ftesë që edhe pjesa tjetër këndej detit të vizitojnë këtë komunitet që po ruan me kaq dashuri kulturën shqiptare, sikurse njëjtë është shprehur edhe pasardhësi i Gjergj Kastriot, Loris Castriota Skenderbeg.

Kurse Paulin Zefi nga Qendra Memoriale e Skënderbeut, përpos që ka uruar mirëseardhje për arbëreshët, ai ka shprehur një një mirëseardhje për të gjithë shqiptarët që po marin pjesë në këtë festë.
“Kur ju shohim juve, ne na duket sikur është ndaluar koha, ne në ju shohim se si ishim me të vërtetë para pushtimit osman, dhe domosdo na bëni të ndihemi krenarë në zemrat dhe shpirtat tonë”, ka thënë Zefi, i cili ka shprehur një lutje që një vizitë e tillë të bëhet edhe më shpesh, sepse, sipas tij, arbëreshët janë shembulli më i mirë se si mbahet gjallë kombi shqiptarë.

Kurse Elida Jorgoni, organizatore e këtij manifestimi ka thënë që shqiptarët këndej detit u zgjuan më në fund nga gjumi, pasi që, sipas saj, arbëreshët që 551 vjet festojnë clirimin e Krujës, kurse në Shqipëri, kjo festë po shënohet tash e dy vite. “U zgjuam më në fund nga ky gjumë vrastar”, ka thënë Jorgoni.

Ndërkohë, kjo festë e madhe arbëreshe është mbyllur me këngë dhe valle te Kalaja e Krujës. Përderisa arbëreshët po ngjiteshin rrugës për në Kalanë e Krujës, Ansambli I Këngëve dhe Valleve “Dasma”, nga Pozhorani i Vitisë, me këngë e valle po vinin në drejtim të arbëreshëve, një puqje kjo mu në majë të Kalasë, për të bashkuar shqiptarët andej e këndej detit, nëpërmjet këngës e valles.
Kurse sot pritet të jetë një festë e madhe, pasi që do të shënohet damsa e Gjergj Kastriot Skënderbeut me Donikën, ku krushqit do të shkojnë të marin nusen në Kalanë e Kaninës. /KultPlus.com

Të ngjajshme