Arka prej plumbi zbulohet gjatë punimeve për rikonstruksionin e katedrales Notre Dame

17 Mars, 2022 - 6:00 pm

Një arkë prej plumbi, 700-vjeçare, u zbulua gjatë punimeve për rikonstruksionin e katedrales Notre Dame, e cila u përfshi nga zjarri më 15 prill 2019 .

Sipas medias vendase, në një sipërfaqe prej 100 metrash katrorë janë kryer gërmime për rindërtimin e kullës së katedrales, që u shkatërrua nga zjarri.

Gjatë gërmimeve u zbulua një rrjet nëntokësor që përdorej për ngrohje, i shekullit XIX.

Në mes të këtij rrjeti u gjet një arkë prej plumbi e shekullit XIV.

Arkeologët, të cilët vendosën një kamerë të vogël endoskopike brenda arkës, thanë se panë copa pëlhure, flokë të mundshëm dhe një mbulesë gjethesh në kokën e kufomës, një fenomen i njohur për t’u përdorur në varrosjet e klerikëve të njohur.

Kryetari i Institutit Kombëtar për Kërkime Arkeologjike (INRAP), Dominique Garcia tha se arka do të jetë një mundësi për t’i kuptuar më mirë praktikat dhe ceremonitë funerale në Mesjetë.

Ekspertët theksuan se është hera e parë që një arkë kaq i ruajtur mirë gjendet në Notre Dame. / KultPlus.com

Të ngjajshme