Arkeologët gjejnë qytetin mbi 3 mijë e 400 vjet të vjetër

10 Prill, 2021 - 9:56 am

Ekspertët po e përshkruajnë vendin si “Pompei” i Egjiptit të lashtë, për shkak të gjendjes së ruajtur mirë – pavarësisht se ka qenë i mbuluar për shekuj

Një qytet i madh faraonik, i ndërtuar më shumë se 3400 vjet më parë gjatë ditëve të bollëkut nën sundimin e Amenhotepit III, është zbuluar në Egjipt.

Arkeologët kishin nisur kërkimet për një tempull mortor afër Luxorit në shtator të vitit të kaluar, por pastaj ndeshën formime me tulla balte në çdo drejtim.

Ata e gërmuan qytetin që ende ka thuajse mure të plota dhe dhoma përplot me vegla, stoli, hajmali, qeramikë me ngjyrë, si dhe tulla që mbajnë stampën e Amenhotepit.

Image

Arkeologët kanë zbuluar vegla, stoli dhe hajmali

Është përshkruar edhe si “qyteti i artë i humbur” në Luxor.

Kryesuesi i ekipit, Zahi Hawass, ka thënë: “Rrugët e qytetit janë të rrethuara me shtëpi…disa prej mureve të tyre janë të larta deri në tri metra”.

Hulumtimet po bëhen në bregun perëndimor të Luxorit, afër Luginës së Mbretërve dhe afër kolosit të Memnonit, Medinet Habusë, dhe tempullit mortor të faraonit Ramses II.

“Ky është një zbulim fort i rëndësishëm”, ka thënë drejtori i Fondit të Trashëgimisë së vjetër Egjiptiane dhe Arkeologjisë, Peter Lacovara. “Është një lloj Pompei i Egjiptit të lashtë dhe tregon nevojën kritike për ta ruajtur këtë hapësirë si një park arkeologjik”.

Vendi përmban një numër të madh furrash për gatitjen e qelqit dhe qeramikave, krahas mbetjeve të mijëra statujave.

Betsy Bryan, specialist i kohës së sundimit të faraonit Amenhotep III, ka thënë: “Vetëm lokalizimi i qendrave manifakturuese sjell hollësi mbi atë se çfarë bënë egjiptianët nën një sundimtar të madh e të kamur si Amenhotepi III”. “Kjo do ta na pajisë me njohuri të reja për shumë vjet”.

Sipas referencave historike, qyteti përfshinte tri pallatet e Amenhotepit III dhe qendrën administrative dhe industriale të perandorisë.

Image

Qeramikë dhe tulla janë gjetur në këtë vend bashkë me shenjat e faraonit Amenhotep. /koha/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme