Arkitektura e kultit, një shembull përfaqësues i një tradite të pasur, thelbësisht europiane

8 Prill, 2020 - 12:25 pm

Shqipëria me pozitën e saj gjeografike ishte gjatë gjithë Antikitetit një nga rrugët e ndërlidhjes së qytetërimit perëndimor me atë lindor dhe në një masë apo një tjetër të dy këto qytetërime duke filluar këtu e 20 shekuj më parë, janë në themelet e qytetërimit Evropian.

Pavarësisht se komponentët lindorë apo perëndimorë dhe ndikimet e tyre vinë duke u zbehur në të dy anët e kontinentit, Gadishulli Ballkanik mbetet gjithnjë një fushë e pranisë së ndjeshme të tyre. Kjo bëhet më e theksuar në shekujt kur vendet e Ballkanit janë në perandorinë bizantine dhe më vonë në atë osmane. Studimet historike dhe ato në lëmin e kulturës materiale i kanë evidentuar më së miri këto dukuri. Një nga rrugët e ndërlidhjes së dy botëve dhe të kalimit të këtyre ndikimeve ishte në territorin e Shqipërisë duke patur si portë kryesore Durrësin dhe arterie të rëndësishme – rrugën Egnatia nëpër Shkumbin. Nuk është e rastit që dhe ndarja e Perandorisë në atë të Lindjes dhe atë të Perëndimit kalon në trevat e banuara nga Ilirët duke patur lëkundje të kufirit sipas rrethanave të veçanta historike. Në jetën shumë shekullore të banorëve të këtyre territoreve, ndodhitë historike pasqyrohen edhe në ndryshimet apo përshtatjen e strukturave administrative kishtare me realitetin e ri e për rrjedhojë edhe në ndërtimet e kultit.

Sulmet barbare dhe ato të popujve sllavë e sidomos këto të fundit, në shekujt VI-VII përmbysin jo vetëm organizimin shtetëror, por sjellin edhe ndryshime të popullsisë në trevat ballkanike duke qënë territoret e sotme të banuara nga shqiptarët në provincat e Dardanisë, Prevalit, Epirit të Vjetër e të Ri ato që i qëndruan këtyre invazioneve. Në këto shekuj të errët për historinë e Evropës e të vështirë në të gjitha aspektet për popullsinë autoktone, dokumentacioni historik është i mangët, po kështu edhe dokumentacioni për organizimin kishtar në këto troje. Një ndihmesë për të ndriçuar historinë japin dhe të dhënat e ndërtimeve të kultit. Ne e kemi trajtuar gjetkë historinë e organizimit të kishës në trojet e arbëreshëve e shqiptarëve dhe këtu duam të përmendim vetëm ato aspekte që dëshmojnë pozitën e veçantë të vendit ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, midis Romës dhe Kostandinopojës e më vonë midis katolicizmit dhe ortodoksisë. Që nga fundi i shekullit IV kisha e Ilirikut Oriental ishte nën juridiksionin e kishës së Romës, një e drejtë që papati vazhdonte ta kërkonte deri në shekullin e IX, megjithëse në mesin e shekullit të VIII Perandori ikonoktast Konstandini V i përfshiu provincat perëndimore nën Konstandinopojën. Me sa duket kjo nuk u bë me lehtësi dhe menjëherë. Sidoqoftë, në këta shekuj të vështirë Durrësi (Dyrrahion) ka qënë përherë një qendër e rëndësishme peshkopate e me lidhje të forta me Romën. Gjatë kësaj periudhe Durrësi luante një rol të rëndësishëm për ruajtjen e pushtetit bizantin në bregdetin lindor të Adriatikut. Durrësi ishte porti dhe baza më e rëndësishme e Perandorisë në Adriatik, sepse rruga detare detyrimisht kalonte në bregun lindor, i cili kishte kushte të favorshme: e rrihnin erërat e nevojshme për lundrim, si dhe rrymat detare, kishte gjire të favorshëm për t u fshehur në rast furtune dhe kishte ujë të pijshëm. Për këto arsye perandoria nuk u tërhoq nga bregdeti dhe prapatoka, pavarësisht nga rrethanat të cilat bënin që këto territore të lëkundeshin nga vartësia e plotë në autonomi. Në këtë periudhë historike popullsia vendase, sipas ndarjeve të veta krahinore si dhe qytetet e tjera të bregdetit shqiptar, kishte lidhje dhe bashkëpunonte me qendrën kryesore të pushtetit bizantin – Dyrrahun, i cili nuk mund të qëndronte pa një prapatokë që e furnizonte deri dhe me njerëz dhe për më tepër e mbronte në rast rreziku. Nga ana tjetër, krahinat arbëreshe mbroheshin nga Dyrrahu dhe qytetet e bregdetit, të cilat dukej se kishin garnizone të fuqishme.

Pas aneksimit të peshkopatave të perëndimit në Patriarkatin e Konstandinopojës, të dhënat më të plota i kemi në Noticien e Leonit të VI që i takon fillimit të shekullit IX, nga e cila mësojmë se pjesët veriore të vendit nuk ishin përfshirë nën kishën lindore dhe vareshin nga Roma nëpërmjet Kotorit. Po kështu, edhe peshkopatat e territoreve të pushtuara nga Bullgarët vareshin nga Ohri. Kemi për këtë rast dëshmi të pranisë së kishës së Romës që bëhet e qartë në “qortimin” e perandorit Vasili i dytë për metropolitin e Dyrrahut në vitin 1020. Me skizmën e vitit 1054, kjo ndarje bëhet më e thellë, ashtu si vërehet dhe prania e kultit katolik për “Latinët“ e Dyrrahut që shtohet me rënien e Perandorisë Bizantine në 1204 dhe sidomos në periudhën që vijon krijimin e të ashtuquajturës “Mbretëri e Shqipërisë” të Anzhuinëve nga viti 1273-1304 (në pjesët jugore deri në Artë), e shoqëruar me shtrirjen drejt Jugut të territoreve nën vartësinë e krypeshkopatës katolike të Tivarit (Antivarensis). Duhet theksuar gjithashtu që ky kufi ndarës i dy kishave ndryshonte në kohë në vartësi të shtrirjes së pushtetit bizantin në trojet veriore të shqiptarëve apo të pushtimit të territoreve jugore nga Balshajt dhe më vonë Stefan Dushani.

Këto lidhje të karakterit fetar apo të vartësisë administrative me rrënjë që në Antikitetin e Vonë vërehen dhe në ndërtimet e kultit, d.m.th. në përkatësinë në drejtimet e mëdha arkitekturore që zhvillohen në Evropë apo në ndikimet e tyre në elementë të veçantë të formave. Problemin e lidhjeve me arkitekturën perëndimore e shohim në dy aspekte. Së pari, veprimtara ndërtimore e shkollës arkitekturore të bregdetit jugor Dalmatin dhe të Shqipërisë së Veriut, ku mjeshtrat shqiptarë zinin vendin kryesor. Së dyti, kemi ndikimet arkitektonike që takohen fillimisht në Durrës e në Veri (Rubik) e më vonë, gjatë periudhes së dytë, në Shqipërinë e Jugut, në zonat e ulta dhe bregdetare. Grupit të parë i takojnë kisha e Shën Stefanit në Shkodër, kisha e Shën Sergjit e Bakut në Shirgj, Shën Mëria në Vaun e Dejës, kambanorja e kishës së manastirit të Shën Gjonit në Rrashkullë të Shkodrës dhe mjaft ndërtesa kulti, sot të zhdukura krahas fortifikimeve të shumta dhe ndërtimeve të tjera që këta mjeshtra kanë ngritur. Ndërtimet e tyre përfshihen brenda arkitekturës romanike-gotike, sepse edhe në Italinë e Jugut, prej nga ndikohen këto atëlie dhe prej nga, me sa duket, në raste të veçanta merren edhe modelet, nuk kemi arkitekturë të mirëfilltë gotike dhe arkitektura romanike me elementë dhe struktura të gotikut takohet deri vonë. Pikërisht këta elementë dhe forma, do të thoshim të vonuara, janë mjetet e shkollës së Veriut.

Karakteristikat e tyre janë format planimetrike njënefshe, teknika e ndërtimit të mureve me gurë të skuadruar, fillimisht më të gjatë se të lartë, por që gjatë shek. XV priren drejt formave katrore, muret me pilastra që lidhen me harqe të verbër, harqet dhe qemerët me profil të mprehtë, ngritja vertikale e godinës dhe mungesa e kupolave. Me futjen në vendin tonë të urdhrave kishtare domenikane dhe françeskane, ndërtohen disa godina kulti që kanë të mbuluar me qemer vetëm mjedisin e altarit. Të tilla janë katedralja e Shën Stefanit në kalanë e Shkodrës dhe kisha e Shën e Premtes në Çetë të Kavajës. Ndërsa e para i takon shkollës së Shqipërisë së Veriut, e dyta është një ndërtim i ndikuar nga arkitektura perëndimore e Durrësit, ku së pakut që në shek XI dokumentohen kolonitë e Venedikut dhe Amalfit me ndërtimet e tyre të kultit, një popullsi e besimit katolik dhe një kryepeshkopatë katolike në shek. XIII-XV. Me rëndësi të veçantë për këtë problem janë edhe elementë të shumtë të skulpturës arkitektonike (kapitele, friza, pllaka) që datohen nga fillimi i shek. IX deri në shek. XV, si dhe pjesë të harqeve të brinjëzuar të mbulesës së kishës, dëshmi e arkitekturës gotike. Krahas tyre kemi ndërtime të thjeshta, ndërtime të mjeshtrave popullorë, të cilat i takojmë gati kudo në fshatrat e Veriut. Këto, siç e pamë, ishin ndërtime të thjeshta të ndërtuara gjithmonë me gurë, ku harqet e mrehta i takojmë vetëm te dritaret (Shën e Premtja në Pllanë, Shën Kolli në Lezhë) apo te absidat (Shën Mëri, Krujë).

Aspekti i dytë, ai i ndikimeve të arkitekturës perëndimore, shpjegohet me dy rrugë : Së pari, ndikimet që vijnë nga lidhjet e drejtpërdrejta të zonave bregdetare dhe të ulta të Shqipërisë me bregdetin perëndimor të Adriatikut, bregdetin dalmatin dhe Venedikun. Së dyti, nga vendosja në vendin tonë, duke filluar nga shek. XIII, të peshkopatave katolike me anzhuinët dhe feudalët e tjerë perëndimorë në zonat e mitropolisë ortodokse të Durrësit e në Jug të saj. Të tilla janë kambanorja Shën Kollit e Perhondisë, skulpturat e Shën Kollit të Mesopotamit dhe të Shën Mërisë të Pojanit, këto të fundit ndikime nga Raguza dhe Tivari, harqet e mprehtë në Pojan, Berat (Shën Triadha, Shën Mëhilli, çisterna) dhe në Shën Kollin në Kurjan, harqet e varura në korniza në Kurjan, Zvernec, Linzë. Një element me mjaft rëndësi për studimin dhe vlerësimin e kishave është dhe teknika e ndërtimit. Vijueshmëria e ndërtimeve dhe e traditës ndërtimore të së njëjtës popullsi vërehet edhe në këtë aspekt duke qënë ajo një ndër përbërësit më të qëndrueshëm që, në aspektin e formës, lidhet edhe me kërkesat estetike ndaj arkitekturës. Ndërsa në Shqipërinë Veriore dhe të Mesme materiali bazë ndërtimor është guri, në Shqipërinë e Jugut përdoren edhe gurët, edhe tullat, ose të dyja së bashku. Në Veri, guri gëlqeror i papunuar apo dhe i skuadruar është më tepër se material rrethanor, duke

përbërë një traditë ndërtimi që vijon dhe pas pushtimit osman.

Në Shqipërinë e Jugut diku edhe në atë të Mesme, ku ndërtohet në suazën e arkitekturës bizantine, guri është përdorur atje ku ka qënë material rrethanor dhe ku kërkesat estetike e mundësitë materiale kanë qënë të pakta. Dukuri të ndikimeve vërehen dhe në pikturën murale ku janë jo të pakta gjurmët e pikturës bizantine në Veri të Shqipërisë, në varësi të futjes së strukturave kishtare ortodokse si rezultat i përfshirjes në perandorinë bizantine të këtyre trevave. Marrja në studim njëherazi e ndodhive historike (përfshi këtu dhe ndryshimet në kohë në strukturat administrative të kishës) dhe i dukurive arkitekturare, tregon mjaft qartë se Shqipëria, d.m.th.trevat e banuara nga shqiptarët, ka qënë rrugë kalimi ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit dhe urë ndërlidhëse e të dy qytetërimeve. Vija ndarëse e përkatësisë në strukturat kishtare të Romës apo Bizantit, si dhe në drejtimet e mëdha arkitekturare ndryshon në kohë në vartësi të ndodhive historike (lidhjet me struktura shtetërore) apo me përfshirjen në qendra të rëndësishme kishtare. Po kështu,

duke qënë kjo vijë ndarëse “imagjinare” në territore të banuara nga e njëjta popullsi, vërejmë dhe ndikime të formave të ndryshme përtej kësaj vije që shpjegohet me marrëdhëniet njerëzore e tregëtare, lëvizjen e atëlieve dhe mjeshtrave, porosi të sundimtarëve dhe dinjitarëve të kishës etj. Shembujt e shumtë të arkitekturës, elementeve të formës e teknikës së ndërtimit, të dekoracionit (skulptura dhe piktura) dëshmojnë më së miri qënien e Shqipërisë në udhëkryqin e Perëndimit e Lindjes, duke mbetur gjithnjë një popull evropian dhe ndërtimet e shumta të kultit janë një shembull i mirëfilltë.

Duke përfunduar do deshëm të theksojmë se sot, në kushtet e reja politike e me mundësi tejet të mëdha në krahasim me të kaluarën, studimet duhet të thellohen në të dy fushat : histori e organizimit kishtar dhe atë të ndërtimeve të kultit për të patur përfundime më të shumta, më të plota, më të sakta. /Albert Vataj /KultPlus.com

Të ngjajshme