11 Qershor, 2025 - 2:45 pm
Gjatë fundjavës që lamë pas, në mjediset e Muzeut Etnografik të Krujës u bë demonstrimi i radhës për vizitorët nga artizane Makbule Kaçiu.
Turistët e shumtë, veçanërisht të huaj, shprehën interes për të parë nga afër punën e dorës nga qëndistarja krutane e cila qëndisi me fije ari në gjergjef. Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Kujtesa historike frymëzon turizmin”, mbështetur nga “EU4Culture Albania”, financuar nga BE dhe i menaxhuar nga UNOPS Albania, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Muzeu Historik dhe Etnografik, Krujë.
Me restaurimin e plotë të Muzeut Etnografik të Krujës, ky objekt ka regjistruar rritje të vizitueshmërisë, duke u bërë një vend i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Muzeu, i dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, është shndërruar në një hapësirë moderne falë një investimi prej 850,000 € nga Bashkimi Evropian përmes programit “EU4Culture”. UNOPS, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, menaxhuan projektin dyvjeçar të restaurimit.
Muzeu i rigjallëruar përmban rreth 1000 artefakte dhe u ofron vizitorëve një përvojë unike mësimore të fokusuar në etnografinë dhe kulturën shqiptare. Kjo arrihet përmes tregimeve inovative dhe ekraneve multimediale, përvojave të realitetit virtual dhe të shtuar, projeksioneve dhe udhëzuesve audio dhe një muri ndërveprues.
Një nga pikat kryesore të muzeut është një dhomë virtuale e zhveshjes, e cila u lejon vizitorëve të bëjnë selfie ndërsa (virtualisht) veshin veshje tradicionale që datojnë nga shekulli i 18-të./ KultPlus.com