Audioguidë që zbulon ‘sekretet’ e Selisë së Qeverisë së parë të Shqipërisë

28 Nëntor, 2021 - 10:26 pm

Muzeu i Pavarësisë në Vlorë tashmë mund të vizitohet nga të gjithë nëpërmjet një audioguide të realizuar nga Ministria e Kulturës.

Ministrja Elva Margariti shprehet se “sot, është dita të nderojmë ata shqiptarë, që bënë të mundur që flamuri kuq e zi të valëvitet i lirë dhe krenar”.

Ajo fton që të gjithë që të vizitojnë Muzeun e Pavarësisë, kësaj herë shoqëruar edhe me audioguidë, që do t’u zbulojë “sekretet” e Selisë së Qeverisë së parë të Shqipërisë së “mosvarme”.

Muzeu Kombëtar i Pavarësisë, siç njihet ndryshe godina ku ka pasur Selinë Qeveria Provizore e Ismail Qemalit në Skelën e Vlorës, është shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë dhe Muze i Pavarësisë Kombëtare më 27 Nëntor të vitit 1962, ndërsa emërtimin përfundimtar “Muzeu Kombëtar i Pavarësisë” e ka marrë me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr 293, datë 17/05/2006.

Audioguida përbëhet nga 9 pika interesi, një për çdo sallë, me kohëzgjatje 20 minuta. Audioguida mund të përdoret si një vizitë e plotë sipas itinerarit të caktuar ose nëpërmjet kërkimit të sallave ose personazheve historik./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme