Berat, dy ikonave u rikthehet bukuria fillestare

1 Shtator, 2018 - 8:00 pm

Pasuritë kulturore në të gjithë Shqipërinë vijojnë të vëzhgohen dhe mirëmbahen në mënyrë sistematike nga specialistët e Drejtorive Rajonale të Trashëgimisë Kulture.

Laboratori i Restaurimit të Veprave të Artit në qytetin e Beratit po punon për nxjerrjen në dritë të thesareve të lëna në harresë. Në këtë laborator restauratorët e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat janë duke punuar mbi dy ikona: Ikona “Profeti Ilia” dhe “Hyrja në Jeruzalem, raporton a.t.a.gov.al

Instituti i Monumenteve të Kulturës bën të ditur se “DRTK Berat po kryen ndërhyrje konservuese dhe restauruese në ikonat “Hyrja në Jeruzalem” dhe “Profeti Ilia”. Një punë e vyer e specialistëve, e cila shmang degradimin e mëtejshëm të ikonave si dhe rikthimin e imazhit ikonografik në bukurinë fillestare”.
Sipas IMK-së, kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm.

Laboratori i Restaurimit të Veprave të Artit në qytetin e Beratit ka restauruar gjithashtu ikonat “Mbledhja e Kryeengjëjve”, me autor Gjergj Johan Çetirin, si dhe ikonën me të njëjtin emër “Mbledhja e Kryeengjëjve” e Kostandin Zografit, “Ngritja e kryqit” dhe “Shën Thanasi”. Ndërkohë që Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin për: “Ndërhyrje restauruese në pesë ikonat e Amvonës, në Katedralen “Fjetja e Shën Mërisë”, sot “Muzeu Onufri”, të cilat kanë nevojë për ndërhyrje konservuese dhe restauruese. / KultPlus.com

Të ngjajshme