Berat, restaurim dhe mirëmbajtje banesave monument kulture

21 Janar, 2019 - 4:25 pm

Një vëmendje e veçantë po i kushtohet gjithnjë e më shumë restaurimit të banesave në qytetin e Beratit.

Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare në të gjithë vendin, po punojnë çdo ditë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

Ditët e fundit në banesën Z.Langore, monument kulture kat e II lagjia “Kala” po kryhet ndërhyrje restauruese pranë murit rrethues të kësaj banese.

Dëmtimi i murit rrethues të saj ka sjellë si pasojë dëmtimin e qemerit të portës, strehës dhe vet portës duke u bëre një problem për sigurinë e qytetarëve dhe lëvizjes së vizitorëve në këtë rrugicë.

Punimet konsistojnë në : pastrimin e territorit, restaurimin e murit të dëmtuar, ringritjes së asaj pjese të muraturës e cila është rrëzuar brenda në territorin e banesës, zbërthimin e qemerit të portës, zbërthimin e strehës së saj duke vazhduar më pas me restaurimin e qemerit, si dhe restaurimin e strehës së portës.

Pas përfundimit të këtyre punimeve, specialistët marangozë do të trajtojnë portën e oborrit duke bëre të mundur restaurimin e saj.

Banesat beratase janë një dëshmi e vyer e diversitetit urbanistik dhe arkitektonik, karakteristikë e Beratit.

Qyteti i Beratit është një nga më të vjetrit në Shqipëri, me gjurmët e para të cilat datojnë që 2600-1800 para Krishtit. Ka edhe qeramika që nga shekulli i 7 apo 6. Banorët e Beratit janë quajtur në fillim ilirë, më pas arbër dhe në fund shqiptarë.

Zona e Kalasë ka fortifikime guri që nga gjysma e parë e shekullit të 4. Në kohët e lashta ai ishte i njohur si Antipatreja Berat, një qytet i fortifikuar që ka arritur t’u rezistojë legjioneve romake të së kaluarës.

Të ngjajshme