8 Korrik, 2025 - 1:46 pm
Më 8 korrik të vitit 2008 qyteti i Beratit iu bashkëngjit listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Berati, për shkak të objekteve muzeale me vlera të mëdha kombëtare, ishte shpallur qytet-muze që në vitin 1961. Kalaja e Beratit, ura me 7 harqe e Goricës, katedralja “Fjetja e Shën Mërisë”, Muzeu Onufri, Epitafi i Gllavenicës, Kodiku i Purpurt i Beratit etj, përbëjnë pasurinë historike të qytetit 2400-vjeçar.
Pas hyrjes në UNESCO (Organizatës për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara), ku vendi ynë aderon që prej vitit 1958, qyteti i “një mbi një dritareve” do të promovonte vlerat monumentale dhe do të përfaqësohej ndërkombëtarisht së bashku me qytetin e Gjirokastrës, si një sit i vetëm për shkak të ngjashmërisë arkitektonike dhe historike.
Berati, sipas UNESCO-s është dëshmitar i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore përgjatë shekujve. Në kriterin e tretë të arsyes së nënshkrimit të Beratit në UNESCO shprehimisht thuhet se; Berati dhe Gjirokastra janë një dëshmi e shquar e diversitetit të shoqërive urbane në Ballkan, dhe të jetëgjatësisë së mënyrave të jetës të cilat sot pothuajse janë zhdukur.
Kriteri i katërt thotë se dy qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës janë dëshmi e jashtëzakonshme për llojet e ndryshme të monumenteve dhe banesave popullore urbane gjatë periudhës Klasike Osmane, në vazhdimësi me kulturat mesjetare që e paraprinë atë. Ky është një vlerësim mjaft i rëndësishëm për qytetin e Beratit i cili renditet kështu midis 600 vendeve të botës që janë në UNESCO si rrjedhojë e trashëgimisë së tyre universale./ KultPlus.com