‘Besa besë, besën ta kam dhanë, për Kosovë jetën dojmë me dhanë’, befasia që emocionoi lojtarët e përfaqësueses së Kosovës

22 Nëntor, 2018 - 8:32 pm

Teksa ende jemi në emocionet e fitores që Kosova shënoi me rezultat të thellë 4-0 ndaj Azerbajxhanit duke siguruar kështu pozitën e parë në Grupin 3 të Ligës D të Ligës së Kombeve, ne po ju sjellim një video plot emocione nga viti i kaluar.

Banka TEB Sh.A. dhe Federata e Futbollit e Kosovës vitin e kaluar kanë incizuar për herë të parë një video befasi për futbollistët e përfaqësueses me një angazhim prej më se 300 personave.

Ideja ishte që futbollistëve të grumbulluar për ndeshjen me Islandën të ju përgatisin një befasi e mahnitshme.

Organizimet kishin marrë rreth një muaj kohë, ndërsa në të ishin angazhuar tifozë të vërtetë, muzicientë e këngëtarë profesionist, njerëz të profileve të ndryshme dhe stafi i Bankës.
Futbollistët në ditën e tyre të parë të grumbullimit janë urdhëruar nga trajneri, Albert Bunjaki të përcjellin një koncert të muzikës klasike në Prishtinë.

Gjatë koncertit ata janë befasuar, pasi që e gjithë salla kanë ndryshuar rrjedhën e koncertit duke shfaqur përkrahjen për futbollistët dhe shndërruar atë në një pjesë të stadiumit.

Fillohet me këngën “Besa Besë”, ku artistët një e nga një zgjohen në këmbë duke kënduar e kështu bëjnë që të gjithë lojtarët të kthejnë kokën pas për të shikuar se çfarë po ndodhë e duke mos e pasur idenë se gjithçka ishte një befasi për ta. Tutje në këmbë zgjohen tifozët e gjithë të pranishmit për të ju bashkuar këngës duke emocionuar pafund lojtarët.

Ndryshe, Kosova dhe Islanda e patën zhvilluar ndeshjen në stadiumin e Shkodrës, ‘Loro Boriçi’. / KultPlus.com

Të ngjajshme