21 Korrik, 2025 - 4:20 pm
Një dritë e re po bie mbi Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, përmes objektivit të ekipit të Koordinacija.hr, një grup i njohur kroat, që prej vitesh dokumenton arkitekturën moderne në hapësirën ballkanike.
Këtë herë, vëmendja e tyre është përqendruar tek një nga ndërtimet më ikonike dhe të diskutueshme të rajonit: biblioteka kombëtare, e ndërtuar mbi vizionin e arkitektit kroat Andrija Mutnjaković.
Gjatë qëndrimit të tyre në Prishtinë, ekipi realizoi xhirime të detajuara brenda dhe jashtë ambientit të bibliotekës, duke u fokusuar në formën e saj unike, strukturat kubike të mbuluara me kupola dhe rrjetën metalike që e bën këtë ndërtesë të pazakontë në çdo këndvështrim. Ky dokumentar do të transmetohet në HRT2, kanalin e dytë të televizionit publik kroat, dhe synon të sjellë për publikun më të gjerë një rrëfim mbi arkitekturën si pasqyrë e kohës, vizionit dhe shpirtit të një kombi, përcjellë KultPlus.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës, më shumë se një strukturë fizike, është simbol i dijes, qëndresës dhe identitetit kulturor. Që prej kur u ndërtua, ajo vazhdon të ngjallë debate për stilin e saj arkitektonik, por pa dyshim mbetet një pikë referimi në peizazhin urban dhe shpirtëror të Prishtinës.
Ky dokumentar vjen si një homazh jo vetëm për veprën e Mutnjakovićit, por edhe për vetë bibliotekën, që përmes arkitekturës së saj përçon një ndjesi të fortë të ndërthurjes midis së shkuarës dhe së ardhmes, një monument i gjallë që ruan zërin e librave, por edhe zërin e kohës./KultPlus.com