Blert Morina dhe grupi Haveit fitojnë çmimin për Demokraci 2018

14 Nëntor, 2018 - 9:50 pm

Aktivistit Blert Morina dhe grupit Haveit iu janë ndarë sonte çmimet për Demokraci nga KCSF, për kontributin e tyre në promovimin e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore në Kosovë.

Blert Morina tha se gjatë rrugëtimit të tij si aktivist i komunitetit LGBTI është përballur me shumë sfida, por gjithashtu ka pasur edhe përkrahje. Njëherësh, ai tha se ky çmim përçon mesazhin se iniciativave të tilla që po përkrahen, pavarësisht orientimit seksual.

Përndryshe, Morinës së fundmi iu refuzua kërkesa për të ndërruar emrin dhe gjininë në dokumente, për çka edhe ka nisur një “betejë” ndaj institucioneve.

“Më duhet ta falënderoj KCSF-në, jo për çmimin që ma kanë besuar, por për mesazhin që ky çmim përçon për çdo person LGBTI. Të gjithë ata që e kanë pas ndjenjën e mospranimit dhe refuzimit, ky çmim dëshmon se iniciativat për të ndërruar jetën e njerëzve vlerësohen dhe përkrahen pa marrë parasysh orientimin seksual apo identitetit gjinor”, ka thënë Morina.

Kurse nga grupi Haveit foli Alketa Sylaj, e cila tha se demokracia është luftë e përditshme. Ajo tha se për ato ka rëndësi të madhe ka që angazhimi i tyre po shpërblehet dhe premtoi se do të vazhdojnë me punën e aktivitetet e tyre, përmes grupit që kanë themeluar tetë vite më parë.

“Ky çmim është krah i fortë për ne, është motivim për të na siguruar se nuk jemi vetëm në betejën e përditshme për më shumë demokraci, andaj duke iu falënderuar, iu sigurojmë se do të vazhdojmë të flasim dhe të jemi krah tjerëve në betejë deri sa të bëhemi ndryshimi që duam ta shohim tek të tjerët”, ka thënë Sylaj.

Drejtori ekzekutiv i KCSF-së, Taulant Hoxha tha se ky çmim vë në pah punën, guximin dhe vetëmohimin e qytetarëve të Kosovës për demokratizimin e vendit. Ai tha se përmes këtij çmimi, ata po frymëzohen nga njerëzit që dalin nga zona e rehatisë dhe angazhohen për çështje që e prekin shoqërinë, transmeton KP.

“Kuptimi i çmimit tonë që shpresojmë që nuk do të jetë i fundit është që t’i frymëzojmë edhe të tjerët që të dalin nga zona e komfortit të tyre dhe t’i sfidojnë institucionet, ta sfidojnë shoqërinë, ta sfidojnë secilin individualisht, sepse nëse secili nuk i bëjmë disa hapa përtej asaj të përditshmes së asaj që jemi mësuar, atëherë ky vend do ta ketë shumë të vështirë që të bëhet”, ka thënë Hoxha.

Kurse nga SDC, foli Patrick Etienne, i cili vlerësoi kurajën e fituesve të këtij çmimi, për të cilët tha se ka admirim të madh.

“Unë vërtetë kam një admirim të madh për ata njerëz që patën guximin të luftojnë përjashtimin, të jenë të guximshëm, të jenë me të vërtetë guximtarë dhe jam vërtetë i lumtur që sonte disa prej tyre mund të shpërblehen dhe më pëlqejnë sidomos ata që do të shpërblehen sonte, kështu që ju falënderoj dhe mendoj se ju me të vërtetë jeni duke kontribuar për të bërë një vend më të mirë për sa më shumë njerëz që është e mundur. Faleminderit”, ka thënë Etienne.

Ndërsa në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Danimarkës (DANIDA), foli Anders Kragh Bingen, i cili i ndau çmimin Blert Morinës bëri thirrje që ky çmim të shërbejë si inkurajim për të vazhduar përpjekjet për respektimin e të drejtave gjinore në Kosovë.

Ky çmim filloi të ndahej në vitin 2015, kur edhe iu nda Fondacionit Lumbardhi.

Çmimi për Demokraci iu ndahet individëve apo organizatave që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e demokracisë në Kosovë. Ky çmim ndahet në kuadër të projektit “Promovimi i Shoqërisë Demokratike”, projekt ky i bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe DANIDA, ndërsa është zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). /KultPlus.com

Të ngjajshme